Incidenti i ndodhur në “Air Albania” në sfidën ndaj Polonisë, mund t’i kushtojë shumë Shqipërisë. Këtë e pranon dhe juristi i FSHF-së, Aldi Topçiu i cili në një intervistë për “Top Channel” është shprehur se federata po përgatit materialet e veta për tu mbrojtur, dhe se dënimi me gjobë në këtë rast do të ishte më i miri.

“Në radhë të parë do të doja të bëja dallimin midis 20.000 tifozëve korrektë dhe disa individëve, që kanë një përgjegjësi individuale për ato veprime që kanë kryer dhe ata do të dalin përpara përgjegjësisë së tyre.

Ky është një proces paralel që është i natyrës administrative ose penale. Në dijeninë time i janë dhënë policisë pamjet filmike menjëherë sapo ka përfunduar ndeshja, kështu që ato i kanë tashmë dhe ne njëkohësisht mbetemi në dispozicion të tyre”.


Po përgjegjësia disiplinore sportive? Çfarë ndodh me hetimin e FIFA-s?

“Ne duhet të pranojmë fajet dhe përgjegjësinë tona për atë që ndodhi, sepse ajo që ndodhi nuk na nderon. Përveç kësaj materiali që kemi përgatitur, do të shoqërohet edhe me prova që lidhen me provokimin, ose me argumentimin, se këto veprime erdhën pjesërisht edhe si pasojë ndaj reagimit provokues të tifozerisë mike dhe disa lojtarëve apo stafit të ekipit polak”.

Çfarë dënimi rrezikon Shqipëria?

“Ajo që mund të them është se dëmi është i madh, qoftë nga pikëpamja e imazhit, qoftë nga pikëpamja ekonomike. Fondet janë ato që janë dhe nuk do të doja që ato fonde të mos shkonin për futbollin, por të shkojnë për të paguar gjoba në FIFA. Unë do të isha i kënaqur nëse do të kalojmë vetëm me gjobë”.

A janë dorëzuar raportet e gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes? Në çfarë faze jemi?

“Jam vënë dje në dijeni të raportit të tyre, kemi katër ditë kohë për t’u përgatitur për qëndrimin dhe mbrojtjen tonë dhe brenda 10 ditësh do të njihemi me një vendimin eventual të Komisionit të Disiplinës.”