Rei Manaj u fut në fushë në pjesën e dytë, ndërsa në një prononcim që ka dhënë për “Rtshsport”, menjëherë pas ndeshjes me Anglinë, ku kuqezinjtë e Edi Rejës u mundën me rezultatin 0-2, sulmuesi me origjinë nga Lushnja ka pohuar:

“Të gjithë e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen, për të luajtur 3-4-3, por nuk na lanë hapësira.”

“Nuk duhet të ndryshonim lojën, me 3 lojtarë që u futëm. Ekipi gaboi që nuk bëmë presion lart. Ata bënë golin dhe e qarkullonin topin, ne vetëm i ndiqnim. Këto janë ekipe që të lejojnë të luash. Por kur i ndjek ata, lojtarët lodhen dhe nuk mund të bëjmë siç duhet”.

“U ndjeva i surprizuar kur ma tha trajneri që nuk isha titullar, por kjo nuk ka gjë. Trajneri e vendos këtë dhe ata që luajtën e meritonin.

Me San Marinon është njëjtë si me Anglinë, 3 pikët kanë të njëjtën rëndësi. Është një ndeshje e rëndësishme dhe duhet të marrim fitoren”, – tha sulmuesi Rei Manaj pas sfidës me Anglinë.