Italia e drejtuar nga Roberto Mancini vazhdon të fitojë dhe duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Kundër Finlandës, kombëtarja italiane arriti një sukses tepër të rëndësishëm, që e dërgoi edhe më pranë objektivit për kualifikimin në Euro 2020.

Suksesi është i veçantë edhe për trajnerin. Gjashtë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në kualifikueset e Europianit, shtatë në total duke llogaritur edhe atë në miqësoren kundër Shteteve të Bashkuara. Një seri rezultatesh që Italia nuk arrinte prej vitit 2003, kur në drejtim ishte Giovanni Trapattoni.

E nëse vazhdon me këtë ritëm, ish-sulmuesi do të arrijë një rekord në stolin e Italisë, që zgjat prej 80 vitesh. Pasi trajneri i fundit që ka arritur 9 fitore rresht me Italinë ka qenë Vittorio Pozzo, tekniku legjendar, dy herë fitues i Kupës së Botës në vitet 1930.

Për të arritur rekordin e tij, Mancini dhe Italia duhet të mposhtin muajin e ardhshëm Greqinë dhe Lihtenshtejnin, në dy takimet e radhës në kualifikueset e Euro 2020./a2cnn/