Një ditë pas fitores historike kundër Hungarisë në stadiumin “Elbasan Arena”, Kombëtarja shqiptare ka nisur këtë të hënë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj San Marinos, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Ditën e sotme, në një konferencë për mediat ka dalë edhe futbollisti Marash Kumbulla, i cili ka folur rreth ndeshjes ndaj hungarezëve si dhe për sfidën ndaj përfaqësueses së San Marinos.
Marash Kumbulla, mbrojtësi kuqezi, nuk e fshehu kënaqësinë për fitoren e arritur mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena” ndaj Hungarisë. “Jam shumë i lumtur që mbrëmë fituam dhe gjithë skuadra luajti mirë. Unë besoj se përveç dy rasteve që pati kundërshtari mbrëmë paraqitja ishte në favorin tonë.
Normale rezultati në Poloni tregon që nuk kemi bërë paraqitje të mirë ndaj Polonisë, por jam i lumtur për ndeshjen e djeshme. Shokët e skuadrës më ndihmojnë shumë këtu. Nuk kam problem të luaj me këdo që zgjedh trajneri. Asnjë lojtar nuk është titullar i padiskutueshëm.
E rëndësishme është të jesh pjesë e ekipit kombëtar. Kush luan do të japë 100 përqindëshin. Dëshira jonë është të bëjmë më mirë, të shkojmë në play-off. Është e vështirë se janë ekipe të forta. Do të japim maksimumin në fushë, ishalla po shkojmë në play-off.
Rivalët për vendin e dytë? Besoj se të dyja skuadrat, Polonia dhe Hungaria, janë rival direkt. Kanë rivalitet, por unë besoj se janë të dyja në garë ende.”, ka përfunduar Kumbulla.