Vllaznia do të luajë ditën e sotme me Erzenin në “Loro Boriçi”, në një sfidë ku do të kërkojë maksimumin për të mos humbur terren me kreun e renditjes. Kjo përballje do t’i gjejë shkodranët pothuajse të plotë, pasi përveç Liridon Latifit, nuk raportohen futbollistë të dëmtuar apo qoftë edhe për kartonë, duke i dhënë kështu mundësinë trajnerit Mirel Josa që të jetë më i qetë në përzgjedhjen e titullarëve përballë Erzenit.

Shkodranët vijnë në këtë ndeshje pas një trepikëshi në kampionat, ku javën e kaluar fituan ndaj Bylisit në shtëpi. Prandaj, edhe vazhdimësia me rezultatet pozitive mbetet synimi kryesor i kuqebluve, pavarësisht kundërshtarit.

Ndërkohë, “Shkodra Sport” i ka bërë një vëzhgim ndeshjeve të javës së 10-të të Vllaznisë, siç përkon kjo me Erzenin ditën e sotme, përgjatë 10-sezoneve të fundit të shkodranëve dhe bilanci nuk është fort pozitiv.

Vllaznia ka pësuar pesë humbje, teksa ka fituar në katër raste dhe në një tjetër, ka barazuar. Ndërkohë, në dy vitet e kaluara, në ndeshjet e javës së 10-të, pikërisht në sezonet 2020-2021 dhe 2021-2022, në dy takime, skuadra ia ka dalë të mbajë portën të paprekur.

Këto shifra në njëfarë mënyre nuk janë në favor të shkodranëve. Megjithatë, do të jenë 90-minutat që do të luhen në “Loro Boriçi”, ato që do ta japin verdiktin në fushë. Poashtu, duhet thënë se ka qenë një fazë e parë jo edhe aq pozitive sa pritej për Vllazninë, duke parë investimet dhe objektivat që kanë shkodranët këtë kampionat.

Megjithatë, Europa dhe titulli kampion nuk janë larg, duke bërë që skuadra të ketë besim tek arritja e të paktën njërit prej këtyre pozicioneve. Një fitore e Vllaznisë do ta parakalonte Erzenin në renditjen e kampionatit, por poashtu do t’i jepte skuadrës një shtysë për vazhdimësinë. /Maringlen ZHIVANI/

Ndeshjet e javës së 10-të të Vllaznisë 10-vitet e fundit, bilanci: 4-fitore, 1-barazim, 5-humbje

Sezoni 2012-2013

Vllaznia-Tirana 0-1

Sezoni 2013-2014

Vllaznia-Bylis 1-1

Sezoni 2014-2015

Kukësi-Vllaznia 2-1

Sezoni 2015-2016

Skënderbeu-Vllaznia 3-1

Sezoni 2016-2017

Kukësi-Vllaznia 3-1

Sezoni 2017-2018

Vllaznia-Lushnja 2-1

Sezoni 2018-2019

Korabi-Vllaznia 1-2

Sezoni 2019-2020

Laçi-Vllaznia 3-0

Sezoni 2020-2021

Apolonia-Vllaznia 0-1

Sezoni 2021-2022

Vllaznia-Laçi 1-0