Gjyshi i tij (nga nëna) është ish- kampioni i mundjes Dedë Bregu. Tezja e tij është ish- kampionia dhe rekordmenia e atletikës Vera Bregu. I vëllai është Klaudio Preka, volejbollist i Vllaznisë. Por Marçelino Preka ka zgjedhur të luajë futboll dhe po e bën mirë këtë gjë.

Më 2 gusht do të mbushë 16 vjeç dhe ai moment me shumë të ngjarë do ta gjejë në Itali me një skuadër të re. E kemi fjalën për mbrojtësin shkodran Marçelino Preka i cili aktualisht eshte pjese e KF Shkodra por edhe e kombetares U17, por pritet ta vazhdojë karrierën në shtetin fqinj ngaqë testimet e para i ka kaluar me sukses.

Në një rrëfim për “Shkodra Sport” ai ka shpjeguar pse zgjodhi futbollin, kur familja në fakt e kishte çuar në atletikë e po ashtu edhe për ëndrrat e tij për të ardhmen.

– Marçelino, a mund ta dimë pse zgjodhët futbollin, kur në familjen tuaj vetëm për këtë lojë nuk është folur më parë, por për vetëm për mundje, atletikë e volejboll?

– Edhe unë në fakt më përpara jam marrë me atletikë, por futbollin gjithmonë e kam pasë pasion. Një ditë dikush më dha një shtysë për të kaluar tek futbolli dhe ai person ka bërë çmos që unë të vazhdoj atë rrugë, pavarësisht se familja ka dasht që unë të ndjek rrugën e tezes time (të mirënjohurës Vera Bregu- shënim i redaktorit) që të bëhesha atlet. Dhe jam i kënaqur që ndodhi kështu, jam i kënaqur që ndoqa futbollin.

– Cila është ëndrra juaj e madhe?

– Ëndrra ime e madhe është të bëhem një futbollist i mirë në mënyrë që të bëj krenare familjen time, por edhe vendlindjen time- Shkodrën.

– Kujt ia dedikoni këtë çfarë keni arritur deri tani?

– Normal që familjes e cila po më mbështet shumë në rrugën që kam nisur, por në veçanti profesorave të mi, Taip e Rudi Piraniqit.

– Ndërkohë luani dhe madje jeni titullar i padiskutueshëm i kombëtares U17. Një privilegj ky për ju?

– Çdo futbollist e ka ëndërr të luajë për kombëtaren dhe në fakt jo të gjithë e kanë këtë shans. Prandaj për mua është një kënaqësi e veçantë që përfaqësoj Shqipërinë dhe sa herë që vesh fanellën kuqezi, ndjehem vërtetë shumë i lumtur.

– Vëllai juaj luan volejboll me Vllazninë, ndërsa ju futboll. Për cilin bëjnë më shumë tifo pjestarët e tjerë të familjes?

– Nuk ka ndonjë diferencë të madhe, për të dy ne bëjnë tifo, por unë ndoshta jam më i privilegjuar prej familjes ngaqë kam marr pjesë edhe tek kombëtarja.

– Kush është mbrojtësi që ju pëlqen më shumë?

– Gjithmonë më ka pëlqyer Sergio Ramos i Realit.

– Ke bërë disa teste edhe në Itali? E shihni të ardhmen tuaj atje?

– Po, është e vërtetë që kam bërë disa testime dhe jam ndarë shumë mirë. Çdo gjë ka shkuar ashtu si duhet dhe në korrik do të shohim për më tepër. Janë dy opsione, për tek SPAL dhe tek Genoa, por do të shohim në vazhdim.
© shkodrasport.com