Pak ditë më parë ai ka fituar medaljen e artë në turneun ndërkombëtar të Sarajevës në Bosnjë. Kjo sigurisht që do jetë një nxitje e madhe për karrierën e tij dhe objektivi është i qartë: Pikësëpari, do të synojë titullin kampion të Shqipërisë dhe më pas, marrjen e medaljes në Lojërat Mesdhetare. Këtë e ka pohuar ai vetë në një prononcim për gazetën www.shkodrasport.com kur thotë:

“Po kaloj një moment të mirë dhe kjo u konfirmua edhe me medaljen e artë që mora në Bosnjë. Në ndeshjen finale ndaj boksierit malazez arrita ta detyrojë kundërshtarin të terhiqet në raundin e tretë. Për mua, ky sukses ishte një arritje e madhe dhe besoj se do të jetë një nxitje për karrierën time. Tashmë do të synoj titullin kampion të Shqipërisë ndërsa për vitin e ardhshëm kam objektiv të marr medalje në Lojërat Mesdhetare”. Sukseset e deritanishme, Marinaj ia dedikon trajnerit Zef Gjoni prandaj shton: “Nëse kam arritur diçka, kjo ka ardhur falë mbështetjes dhe punës që ka bërë me mua trajneri Gjoni. Përpos kësaj, çdo pjesmarrje në turnetë ndërkombëtare vjen vetëm prej tij  sepse arrin të gjejë sponsorë dhe duke marrë pjesë në këto aktivitete, kuptohet që përfitojmë shumë nga ana profesionale”. Syrjan Marinaj është vetëm 20 vjeç dhe ka shtatë vite që merret me këtë sport. Ndonëse nga ana financiare deri më tani nuk ka fituar asgjë, ai sërish nuk është “pishman” se ka zgjedhur këtë sport. Madje, ai është shumë i kënaqur  dhe premton të bëjë më të mirën në boks, duke shpresuar që të ketë sa më shumë suksese në ring

Gjergj KOLA