Shqipëria U-21 ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve të radhës ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Kuqezinjtë do t’i zhvillojnë të dyja ndeshjet në transfertë, fillimisht ndaj Sllovenisë më 12 nëntor ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi arriti të fitonte ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë që u luajt në stadiumin “Elbasan Arena” më 11 tetor, ndërsa kuqezinjtë shpresojnë të arrijnë sërish të marrin tre pikë pavarësisht se ndeshja është e vështirë.
Në prag të këtyre dy ndeshjeve, në një konferencë për mediat kane dalë ditën e sotme dy futbollistët e ekipit Shpresa, Angelo Tafas dhe Mario Mitaj.
Talenti shqiptar i AEK-ut, Mario Mitaj theksoi faktin se skuadra po kalon një gjendje të mirë, ndërsa u shpreh se skuadra ndaj Sllovenisë do të futet me të njëjtin mentalitet si në “Elbasan Arena” për të marrë tre pikët. Ai foli edhe për ndeshjen që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Kosovës si dhe për synimet për të ardhmen.
Atmosfera e skuadrës – Atmosfera është e mirë. Pak a shumë e njohim njëri-tjetrin sepse jemi grumbulluar shumë herë. Nga ana fizike nuk kemi dëmtime dhe shpresojmë të shkojmë kështu deri në fund.
Sllovenia? – Ne si Shqipëri do të futemi siç u futëm në “Elbasan Arena”, 100% të përqëndruar. Do të futemi me të njëjtin mentalitet. Nuk do të jetë e lehtë sepse e dimë që Sllovenia do të jetë më e fortë se ç’ishte. Objektivi ynë është të futemi dhe të marrim tre pikët dhe nuk duhet të kemi frikë pasi mund të përballojmë çdo kundërshtar.
Ndeshja me Kosovën – Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, sidomos kjo e Kosovës pasi është në transfertë. Është një ekip shumë i fortë, kemi luajtur disa ndeshje, por kjo nuk na ndalon nga objektivi ynë që të marrim tre pikët.
Synimet? – Synimi tani për tani është që të luaj sa më shumë për klubin.