Marko Juriç është qendërmbrojtësi i vetëm i mbijetuar nga sezoni i fundit te Vllaznia. Shtatlarti kroat shënoi dje një gol që mban gjallë shpresat e kuqebluve për të tentuar kalimin e turit në përballjen e kthimit ndaj Linfildit, që do të luhet më 20 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”.

28-vjeçari i lindur në Dubrovnik erdhi në verën e vitit të kaluar te Vllaznia, teksa luajti 24 ndeshje si kuqeblu në kampionat dhe arriti të shënojë një gol në fitoren 4-1 ndaj Laçit. Pas mbylljes së sezonit 2022-2023, dilemat për qëndrimin e tij te shkodranët ishin të mëdha.

Fillimisht u përfol se kishte rënë dakord për rinovimin e kontratës, por mungesa e tij në ditët e para të stërvitjes shtoi dyshimet se edhe Juriç do të ndiqte rrugë të njëjtë si Bojan Zogoviç, Erdenis Gurishta, Ante Aralica, Liridon Latifi, Kaina Nunjesh, Kristjan Vulaj, Elvedin Heriç, Dajan Shehi, Ardit Hoxhaj, Darko Bulatoviç, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi dhe Herald Marku, që sot nuk janë më pjesë e Vllaznisë. Gjithsesi, ai qëndroi dhe dje… shënoi.