Markus Turam, sulmuesi i Interit, ka dhënë një intervistë të gjatë për karrierën e tij për “CBS”, duke u ndalur edhe te raporti që ka me vëllain e tij, Kefren. Markus luan te Interi, ndërsa vëllai i tij te Juventusi, me një rivalitet brenda familjes që tashmë shihet edhe në fushën e lojës, siç ka treguar sulmuesi i zikaltërve.
“Jemi shumë të ngjashëm në shumë aspekte, jemi punëtorë të mëdhenj, profesionistë, e dimë atë që kërkojmë në jetën tonë. Ai është shumë konkurrues dhe dëshiron gjithmonë të jetë numri një, kjo më pëlqen dhe më bën krenar.
Përballjet direkte në fushë? Unë mundohesha të tallesha, ai jo. Desha t’i tregoja që jam vëllai i madh por nuk shkoi edhe aq mirë: shënoi ai dhe zakonisht nuk e bën kurrë. Dëgjohemi çdo ditë, kemi një raport të jashtëzakonshëm. Ëndrra ime është që të dy të shprehim potencialin maksimal dhe të rritemi si njerëz, me vlera. Në fund të karrierës duhet të jesh më shumë se një futbollist”, tha ai.
Më pas, Markus u pyet për raportin që kanë me babain e tyre, ish-mbrojtësin e Francës, Lilien Turam. “E kuptova me të vërtetë kush ishte kur shkoi te Barcelona. Shihja Ronaldinjo, Henri, Abidal… dhe ishin shokët e tij të skuadrës. Pyesja veten “po e bën me të vërtetë?”. Më ka mësuar shumë gjëra, por sidomos që të pyes veten. Të jem kureshtar, kritik, një njeri më përpara se një sportist”, deklaroi ndër të tjera sulmuesi.


