Veprimi i Elis Bakajt që braktisi Vllaznisë në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit vetëm e vetëm ngaqë “nuk i bënin këmbët të luante ndaj Tiranës”, ka krijuar shumë pakënaqësi në Shkodër. Ka shumë njerëz që e kanë kritikuar për këtë sjellje aspak profesioniste. Por, njeriu që e ka kritikuar prej kohësh, madje që në momentin e ardhjes së tij në Shkodër, ish- futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë Edi Martini, ka folur sërish. Me tone të rënda madje. Në një postim të fundit në rrjetin social facebook, ai do shkruante:

“Shumë njerëz më kritikuan që fola për Bakajn në fillim kur erdhi tek Vllaznia. Po tash ma shok e miq, a më jepni të drejtë për ça kam thanë? Erdhi, bani stërvitje, mori lekë, u kënaq dhe tash më ban edhe burrin e mirë! A thu e kishte ba këtë punë me pa ken gjallë Myftari (Çela) apo të ishte Valteri (Fushaj)”? Martini ka thënë atë që ka mbajtur për brenda gjatë gjithë këtyre muajve. I vjen keq që Vllaznia e tij “përdoret” nga lojtarë të ndryshëm për të ardhur në formë, pikërisht atëherë kur mbesin pa ekip dhe në momentin kur duhet t’i shërbejnë asaj, e braktisin. Bakaj veproi në këtë mënyrë dhe prandaj mori edhe kritikat nga pas.

© shkodrasport.com