Një nga emrat më të spikatur të viteve të fundit të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, sulmuesi i mirënjohur Edi Martini, e ka cilësuar si tepër deciziv takimin e së dielës me Kukësin. Sipas tij, vetëm tri pikët mund të kalojnë krizën momentale në të cilën gjendet Vllaznia. Ish-futbollisti dhe trajneri i kuqebluve vlerëson me notat më të larta lojën që ka zhvilluar skuadra në këto javë. Megjithatë, ai i quan mungesë të fatit rezultatet e ndeshjeve të fundit. Ai vlerëson maksimalisht edhe lojën e kroatit Bushiç, por ka rezerva për sektorë të tjerë, ku edhe Vllaznia po gabon shpesh.

Martini, si e shikoni situatën në të cilën ndodhet sot Vllaznia?
Natyrisht që nuk është një situatë e mirë. Ndryshe nga disa javë më parë, duhet pranuar se skuadra e Vllaznisë e futi veten në një vorbull ku nuk duhet të kishte hyrë. Mendoj se tani ka ardhur koha që ekipi të bëjë kthesën e të nisë edhe një herë ngjitjen në tabelën e klasifikimit.
Si e vlerësoni përballjen me Kukësin?
Përballja me Kukësin është për mua pika kyçe për të dalë nga kjo situatë. Të jemi realistë, tani skuadra nuk ka se si të ndihet mirë edhe në aspektin psikologjik. Në një farë mënyre është rritur ndjeshëm edhe presioni për kërkimin e pikëve maksimale. Ndeshja me Kukësin pritet të jetë takimi i kthesës për këtë skuadër. Nuk ka rrugë tjetër kjo skuadër, veç fitores, që të kalojë këto momente. Në të kundërt, çdo pikë e lënë do ta përkeqësonte, sipas mendimit tim, në situatën aktuale dhe skuadra do të futet në një mënyrë apo në një tjetër në krizë rezultatesh. Prandaj Vllaznia nuk ka asnjë alternativë në këtë takim, veç fitores.
Ku mendoni se ka gabuar Vllaznia?
Të them të drejtën, nuk e kam menduar këtë situatë para takimit me Kukësin, pasi skuadra ka treguar lojëra të bukura dhe ka prodhuar raste në çdo takim. Për mua, Vllaznia ka pasur mungesë të theksuar të fatit. Ai është pjesë e pandarë e futbollit. Mund të luash mirë dhe të mos fitosh, por mund edhe të luash dobët dhe të marrësh maksimumin. Vllaznisë tani i duhet kjo e dyta.
Po për repartet e veçanta?
Nuk më vjen mirë të ndalem në këto momente në gabimet e reparteve të veçanta. Natyrisht që kemi gabuar në prapavijë, por edhe në vijën e sulmit. Shumë mundësi të shpërdoruara natyrisht që nuk janë pozitive. Megjithatë ky është futbolli. Tani Vllaznia duhet të rikuperojë në tërësinë e vet, në mënyrë që të merret maksimumi. Nëse arrihet kjo me Kukësin, atëherë jam i bindur se gjërat do të shkojnë përherë e më mirë.
Si do ta gjykonit ecurinë e kroatit Bushiç?
E kam thënë edhe më parë, kemi të bëjmë me një sulmues të mirë. Është lojtar që ka vlera dhe besoj se ka qenë një nga afrimet më të mira të kësaj skuadre. Unë kam besim te cilësitë e tij, por ai duhet të furnizohet më shumë me topa.
Pavarësisht se mund të jetë herët, si e shikoni të ardhmen e kësaj Vllaznie?
Nuk mund të thuash asgjë për sa i përket të ardhmes. Ky kampionat deri tani ka qenë një surprizë më vete, sepse shumë skuadra kanë befasuar me ecuri pozitive, por ka pasur edhe ekipe që na kanë shtangur për ecurinë negative. Vendi i parë me të 9-in ka shumë pak pikë diferencë. Prandaj nuk ka mes fare. Me një takim të fituar shkon lart dhe me një takim të humbur shkon poshtë. Deri tani nuk ka një ndarje të ekipeve, prandaj mendoj se për të ardhmen çdo skuadër duhet të flasë takim pas takimi.

Admir URUÇI