Tashmë rrjetet sociale janë shndërruar në trend dhe gati-gati janë bërë pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Aty mund të blesh, të shesësh apo edhe të bësh edhe një mini-ankand të vogël.
Do thoni ju ç’lidhje ka me futbollin kjo? Epo kjo që i ka ndodhur Migen Memellit tregon se ç’ndodh në tregun e “shitjeve-blerjeve” të lojtarëve apo trajnerëve pikërisht në këto rrjete sociale.
Dikush i maskuar me emrin e klubit të Kukësit, ka kërkuar që skuadra e Al Ohod Club në të cilën Memelli është zëvendës-trajner, të largojë atë dhe të marrë Armando Cungun.
Në bisedën e postuar nga ish-sulmuesi i njohur, shihet se si personi që prezantohet me “Kukësi Official”, i bën reklamë shkodranit për të cilin shkruan: “Armando Cungu është një trajner me emër dhe me mjaft eksperiencë në vendin tonë. Ndërkohë, Memelli që ju keni marrë ka qenë vetëm një muaj trajner”.
Sigurisht për këtë ka reaguar edhe vetë ish-trajneri i moshave të Tiranës që shkruan: “Sa e vogël është bota dhe e-mailet bëjnë xhiron e botës dhe për koicidencë më vjen edhe mua. Ah more zotni official. S’mund ta besoj që jemi kështu ne shqiptarët, po akoma dhe më shumë po bindem që pse kurrë nuk hapim dot dyert e njëri-tjetrit.
Kroatët flasin mirë për njëri-tjetrin, serbët gjithashtu, bota mbarë bën të njëjtën gjë. Hapni portat e trurit o njerëz hapni, hapni portat e zemrës se po bëheni gaz i botës o katran me bojë dhe s’po iu bie shpirti rehat“, përfundon Migen Memelli.
BISEDA:
f.k_kukesi_official – “Dua t’iu ofroj trajnerin më të mirë në Shqipëri, Armando Cungun. Nëqoftë se jeni të interesuar të lutem më shkruaj mua dhe do t’iu jap numrin e tij si dhe CV-në. Ai do një menaxher dhe shpresoj që ju ta ndihmoni atë”.
I panjohuri – “Fol me Iler. Ai është njeri i mirë dhe do të bëjë diçka për ju”.
f.k_kukesi_official- “Po miku im e njoh. Ai e bëri Memellin trajner. Ai s’ka qenë trajner në Shqipëri. Ai s’ka qenë më shumë se për një muaj. Ky që po iu ofroj unë ju është më i miri. Ka ndryshuar 3 klube plot me trofe. Kur i shkruajta Ilerit rreth trajnerit, ai i pa mesazhet dhe nuk u përgjigj”. /Newsport/