“Rekordmeni” i Gjermanisë Lotar Matues ka sulmuar me tone të ashpra trajnerin e Bajernit Tomas Tuhel mbi zgjedhjet taktike në ekipin titullar.
Për Matuesin nuk ka asnjë kuptim që lojtarët më të mirë të presin në stol dhe t’u serviren minuta sporadike, aq me keq në rastin e Kejnit, asnjë të tillë:
“Tuhel luajti ‘kumar’ me Sarbryken. Po të isha në vendin e tij do të hidhja në fushë nga minuta e parë lojtarët më të mirë dhe do t’i zëvendësoja nga minuta e 60-të. Të neglizhosh Herri Kejnin nuk është e lehtë dhe ja rezultati”, ishin frazat e shkurtra të Mateusit në mikrofonin e “Bild”.
Tekniku i bavarezëve pas ndeshjes e justifikoi mosinkuadrimin e “pykës” angleze me arsyetimin për ta luajtur si “guri” përcaktues në kohën shtesë, por që goli me “arkitekt” futbollistin e shpresave të Shqipërisë U-21, Tim Civeja, i prishi planet e trajnerit rival.