Pavaresisht oshilacioneve qe ka patur deri me tani, Vllaznia po tregon nje forme shume te mire sportive dhe padyshim qe do te jete rivale per titull. Keshtu mendon menaxheri i njohur Andi Matraxhiu. Ai ka bere edhe nje analize te problemeve qe ka shfaqur skuadra ne 13 javet e para, por eshte i bindur se problemet e saj po kalojne dhe ajo do te shfaqet gjithnje e me e forte.
“Fitorja e Vllaznisë ndaj Skënderbeut ishte e merituar dhe nuk ka nevojë për koment. Por unë dua ta analizoj më me saktësi ecurinë e kësaj skuadre. E kemi diskutuar dhe analizuar ecurinë e saj pas dy humbjeve që ajo pat pasur ndaj Kukësit dhe Tiranës.
Unë isha i mendimit se nuk duhej të nxitoheshim me këtë skuadër sepse ajo ndaj Dinamos kishte bërë një super-performancë, më pas erdhën dy humbjet, për të ardhur tek rezultatet e fundit pozitive. Them se trajnerit Brdariç i është dashur kohë që të shkrijë idetë e tij tek skuadra.
Të mos harrojmë se me përjashtim të portës që nuk ka ndryshuar nga sezoni i kaluar, të gjitha repartet e tjera kanë pësuar ndryshime dhe nuk ështe e lehtë që lojtarët e ardhur t’i lidhësh me të tjerët.
Në 5 ndeshjet e fundit, Vllaznia ka 1 barazim dhe 4 fitore, pavarësisht se këto të fundit janë arritur në shtëpi. Unë e shoh Vllazninë si një rival të fortë për titull, pavarësisht këtyre oshilacioneve që pati, të cilat ishin shumë të rënda.
Por ajo po rikthehet, bashkë edhe me disa lojtarë. Rikthimi i Ardit Hoxhajt është i rëndësishëm dhe tek kjo skuadër ky lojtar ka gjetur veten. Edhe lojtarët e tjerë tashmë ia dinë më shumë rëndësinë fanellës, i njohin më shumë idetë e trajnerit dhe prandaj skuadra po funksionon”- ka thene Matraxhiu.