Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, nuk është kursyer në kritika ndaj lojtarëve të tij pas barazimit ndaj Egnatias. Në “Gol pas Goli” ai fajësoi euforinë e tepërt te ekipit të tij që nuk interpretoi ndeshjen siç duhej.

“Ajo që druhesha gjatë javës, kam punuar në aspektin psikologjik, manifestoi të njëjtën sjellje skuadra, duhej të ishim më cinik në fazën ofensive, në 20 metrat e fundit.

Sot kemi çeduar në aspektin difensiv se duhej të ishim shumë më konkretë, ajo që kishim armën më të fortë, sot kemi pësuar gol për neglizhencë e mospërqendrim, qendra e mbrojtjes dhe mesfushës. Në pjesën e parë nuk ditëm të reagojmë, në të dytën reaguam goxha mirë, fituam 11 metërsh e nuk e realizuam, edhe pse me 10 treguam forcë karakteri. Por mbaj përgjegjësi për pjesën e parë se skuadra duhet të sillet ashtu gjatë gjithë takimit.

Ajo e gjuajtjes së penalltisë është përgatitur gjatë gjithë javës, gjithmonë. Për penalltitë kam përgatitur Kallakun të parin, Malën të dytin e Zhunior të tretin. Duke mos qenë Kallaku, i takonte, duke i stërvitur dy më efektivët, kjo ishte zgjedhja. Ajo është çështje emocionale e momentit. Nuk është vetëm humbja e 11-metërshit, por kishim situata ku duhej të gjenim zgjidhje shumë më shpejt.

Zhunior? Më shqetëson fakti që futet dhe është hera e dytë që e bën këtë. Është hera e dytë kështu, mendoj se sot ka bërë shumë mirë. Ky është shqetësim se lojtarët nuk duhet të kenë këto sjellje nga një ndeshje te tjetra, por të ruajnë një formë të kënaqshme.

Sot nuk jam i kënaqur, edhe pse isha me 9 apo 10 lojtarë. Kam përshtypjen se sot duhej të ishim shumë më agresivë dhe duhej të kërkonim me ngulm fitoren por si erdhi situata, nuk duhej të pësonim golin e dytë se u çekuilibruam dhe duhej të mbanim 1-1 në ato momente me 10.

Sa i përket pastaj, shumë ka pasur edhe pjesa e gjyqtarëve. Kur për një ndërhyrje të thjeshtë nxirret i kuqi për lojtar të Partizanit, shpresoj edhe për të tjerëve të mund t’u nxirrej i kuq sidomos në lojë pa top si në derbi. Nuk dua të bëhem konfliktual se duhet ta kërkoj te vetja, stafi e skuadra ime.

Ndërhyrja e Markut nuk është brutale, se po të shohësh dinamikën… Bitri nuk duhet të bëjë atë ndërhyrje, por ka ndërhyrë te topi, Bitri ka kapur edhe topin, se brutale quhet pa top.

Dënoj veprimet e lojtarëve që humbën qetësinë. Lojtarët e kanë humbur se jam munduar që t’i mbaj me këmbë në tokë, jetojnë më atë që kanë bërë më parë dhe harrojnë që është e rëndësishme ndeshja e sotme. Jetojnë me mendimin se kanë mundur Egnatian apo kanë bërë mirë deri tani, kështu ndahet profesionisti nga lojtarët që kërkojnë të ecin përpara dhe të kenë këtë fanellë.

Duke pasur parasysh lojtarët me eksperiencë, që fillon nga ata me eksperiencë si Zhunior që luan titullar, nuk bën diferencën… Mora përgjegjësinë për pjesën e parë, e mora unë se mendova të isha në ekuilibër që të kërkoja shumë më tepër menaxhim në 1/3 e mesfushës.

Duke kërkuar shpejtësi me Malën e Carën, kërkoja ekuilibër se Egnatia ka një mesfushë të mirë. Nuk rezultoi si e mendova, pjesa e dytë duhej të tregonim siç e bëmë atë që duhej të bënim çfarë dimë më mirë, edhe pse duhej të ishim më të qetë në pjesën e fundit të fushës.

Te skuadra jam munduar të ul në maksimum euforinë, shumë individualitete në skuadër duhet të tregojnë personalitet dhe duhet që çdo kundërshtar ta respektojnë dhe të jemi shumë më të etur për fitoren, kujtohemi shumë vonë.

Është e rëndësishme që fillimin e ndeshjes e kemi të ngadaltë, jo me ritëm. Meqë kundërshtarë si këto mbrojnë me shumë forca, kam kërkuar më shumë lojë nga krahët”, tha Mehmeti.