Aleksis Sançez do të veshë fanellën e Interit në këtë sezon. Edhe pse nuk është bërë ende zyrtare, mediat italiane informuan se futbollisti kishte kaluar të gjitha vizitat mjekësore të rastit dhe kishte hedhur firmën në marrëveshjen që e lidh me zikaltërit për edicionin 2019-2020.
Mançester Junajtid ka huazuar futbollistin për ta hequr qafe një pjesë të rrogës së tij të rëndë, pasi ai përfiton 21 milionë paund në vit te “djajtë e kuq”, ku ka kontribuar me shifra qesharake në muajt që ka qenë pjesë e ekipit.
Sipas mediave italiane Sançez ka rënë dakord mbi çdo pikë me Interin, por ka edhe një akord shumë të veçantë me klubin për të ardhmen, ndonëse jo të firmosur.
Të njëjtat burime theksojnë se futbollisti ka një “marrëveshje xhentëlmenësh” me Interin, për të luajtur atje edhe dy sezonet pasardhëse, pasi palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe sa u përket pagesave që do të përfitojë, nëse arrin të shkëputet nga Mançester Junajtid për vitet e mbetura të kontratës dhe transferohet si futbollist i lirë. /vipsport/