Vendimi për shkarkimin trajnerit Shpëtim Duro, vetëm 1 orë pas përfundimit të ndeshjes së barazuar 2-2 me Teutën, ka shkaktuar kaos te Kukësi. Askush në klub për momentin nuk di të thotë se kush do të jetë trajneri i ri i skuadrës, pasi kjo çështje po diskutohet në një mbledhje emergjence.

Drejtuesit e klubit kanë udhëtuar nga Durrësi drejt Tiranës menjëherë pas shkarkimit të trajnerit, ndërsa VIP Sport ka mësuar se janë mbledhur për të diskutuar opsionet e ndryshme që kanë përpara pas largimit të teknikut, duke llogaritur se kanë një ndeshje jo pak të komplikuar në mesjavë përballë Vllaznisë.

Në mbledhjen ku është i pranishëm edhe presidenti i nderit Safet Gjici, i cili vazhdon të ketë vendimmarrje të plotë në klub e ka qenë ai që ka vendosur për largimin e teknikut, të cilit i kishte dhënë sinjalet me ultimatumet që kishte bërë së fundmi duke i kërkuar pikë të plota deri në fund të fazës.

Stafi aktualisht po diskuton nëse do të ketë një trajner të ri të zgjedhur brenda stafit të asistentëve të Duros, apo nëse do të kontaktohet një trajner që njeh Superioren dhe klubin verilindor për të vazhduar këtë sezon.

Një nga opsionet që është përfolur shpesh në muajin e fundit, që kur filloi të lëkundej pankina e Duros, është ajo e drejtorit sportiv Nderim Nexhipi, që të marrë këtë rol për të mbyllur edicionin e më pas të kërkohet në verë një trajner i ri. /vipsport/