Dan Igant rrëfen Shkodrën. Qen-dërmbrojtësi rumun, edhe pse nuk ka dashur që të tregojë të vërtetat e “divorcit” të shkurtër me Vllazninë, pohon se për projektin e klubit ka refuzuar një ofertë trefish më të lartë.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 32-vjeçari thekson se skuadra duhet të kishte më shumë pikë, ndaj ende “qan” 10 pikët e lëna rrugës. Ashtu si pjesa tjetër e grupit beson te ngjitja, ndërsa e konsideron të padrejtë rregullin e përgjysmimit të pikëve në fazën e tretë.

Vllaznia është +10 në krye të renditjes, a jeni me të qetë?

Jemi 10 pikë të shkëputur nga ekipet e tjera, por nuk duhet të harrojmë që kemi humbur edhe 10 pikë gjatë rrugës. Megjithatë, në kompleks jemi të kënaqur. Mund të bëjmë shumë më tepër dhe mirë do të ishte që të kishim edhe disa pikë më tepër në renditje pas javës së 17-të.

Pas ndeshjes së kësaj jave me Ilirinë përgjysmohen edhe pikët. Si ju duket ky rregull dhe a do të ndikojë në realizimin e objektivave?

Pas ndeshjes së të shtunës do të fillojë një kampionat të ri. Nuk pajtohem me përgjysmimin e pikëve, sepse kemi punuar në terren për të gjitha këto pikë. I njëjti sistem është në Rumani dhe nuk mund të them që është e drejtë. Gjithsesi, rregullat janë për t’u zbatuar.

U larguat nga Shkodra në fund të vitit, çfarë ju bëri të ndryshonit mendje?

Ka pasur disa probleme, por ato janë zgjidhur. Jam kthyer sepse dua ta ndihmoj ekipin dhe sepse më pëlqen Vllaznia.

Rikthimi erdhi pas vendimit të klubit për të mos ju dhënë lejen e kalimit?

Nuk më pëlqen të flas për të shkuarën. Ajo që ka rëndësi është se unë jam këtu dhe unë do të jap gjithçka për të fituar çdo ndeshje.

Me një shekull histori mbi shpinë, mendoni se ky klub është aty ku duhet në aspektin profesional apo infrastrukturor?

E di që klubi Vllaznia është më i vjetri në Shqipëri. Ky klub është në “top 3”-shen e Superiores. Vetëm se ka nevojë për më shumë mbështetje nga të gjithë, nga ana e atyre që e duan klubin Vllaznia. Kjo skuadër ka shumë fansa. Jam me fat që jam pjesë e Vllaznisë në këtë 100-vjetor. I uroj jetë sa më të gjatë!

Si do ta përshkruanit Shkodrën me një fjalë?

Qytet shumë i qetë. Vend i bukur.

Si është të jetosh në Shkodër dhe cila është çudia më e madhe që ju kanë zënë sytë?

Pasi mbaroj angazhimet me ekipin, kohën e lirë e kaloj duke vizituar vende të reja së bashku me bashkëshorten. Është shumë ndryshe nga Rumania dhe jam i habitur nga numri i shumtë çiklistëve në rrugë.

Si e gjetët Shqipërinë dhe pse vendoset që të vinit të luani këtu?

Verën e shkuar unë nënshkrova me një ekip në Liban. Por, Engin Firat, drejtori i klubit, më bindi kur më tregoi gjëra të bukura rreth klubit shkodran dhe rreth projektit që ai kishte, ndaj edhe erdha këtu. Madje, në nëntor 2018 mora një ofertë shumë të mirë, trefish me këtë që kam këtu, por preferova të refuzoj dhe të vazhdoj këtë projekt.

Janë luajtur 17 javë, kështu që mund të na zbuloni një ndeshje, e cila ju ka ngjallur më shumë emocione, si edhe atë që ndoshta ju ka frikësuar?

Nga të 17 ndeshjet, nuk mund të them se kishte një ekip për të më bërë përshtypje. Të gjitha përballjet janë të njëjta. Dhe fitoret janë rrjedhojë e angazhimit, luftës sportive dhe një organizimi të mirë.

Si e keni raportin me shqipen?

Fatkeqësisht, nuk di shumë fjalë në gjuhën shqipe, por anglishtja më ndihmon së tepërmi. Shumë lojtarë dhe trajnerë flasin anglisht dhe kjo ma lehtëson komunikimin.

Miku më i mirë që keni gjetur te Vllaznia?

Të gjithë lojtarët janë djem të mirë, por shoku më i mirë i imi në Shkodër është Gurishta.

Një lojtari të huaj si ju, a i bën përshtypje fakti që te Vllaznia ka gjithnjë polemika?

Nuk e di se çfarë po ndodh jashtë skuadrës. Gjithçka që unë di është se ne duhet të fitojmë 10 ndeshjet e ardhshme. Pastaj të jem i bindur se gjërat do të ndryshojnë dhe se të gjithë do të kenë të njëjtin objektiv.