✍️ Shkruar nga Namim Mehmeti
Të dielën, skuadra ku luan futbollisti shqiptar Gerard Mirashi, Igea Virtus, zhvilloi ndeshjen e radhës në Kalabri ndaj ekipit vendas Vibonese, takim ky i vlefshëm për javën e 14-të të grupit D.
Ajo që vlerësohet më shumë në këtë përballje për Igea Virtus nuk është vetëm fitorja në transfertë me rezultatin 1–0, e arritur falë një autogoli të shpejtë në minutën e dytë, ku protagonist ishte kalabrezi Mohafin.
Kjo fitore ka një entuziazëm të veçantë edhe për mbrojtësin shqiptaro–italian Gerard Mirashi, pasi ai u shpall futbollisti më i mirë i ndeshjes, duke u vlerësuar me notën 7.
Mediat italiane i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë paraqitjes së tij dhe më poshtë keni disa nga komentet rreth paraqitjes së Mirashit në këtë ndeshje:
“Personaliteti dhe mbështetja që demonstroi anuluan me kompetencë çdo tentativë në korsinë e tij të mbrojtjes.”
Mbrojtësi shtatlartë, shumë energjik dhe i apasionuar, i pozicionuar mjaft mirë taktikisht, ka fituar plotësisht besimin e trajnerit Marra, i cili pas ndeshjes dha vlerësimin maksimal për formën e mirë sportive të shqiptaro–italianit 17-vjeçar.
Pas kësaj fitoreje me rëndësi, skuadra Igea Virtus renditet në vendin e dytë, vetëm një pikë larg kreut të tabelës, dhe javën e ardhshme pret në fushën e saj ekipin e Savoies.









