Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vazhdon të tregojë stabilitet të në mbrojtje, duke mbajtur vendin e parë si ekipi me më pak gola të pësuar në Kategorinë Superiore pas 29 javësh të luajtura. Shkodranët kanë regjistruar vetëm 21 gola të pranuar, një shifër që tregon qartazi disiplinën dhe kujdesin e lartë në këtë repart.
Pavarësisht ndryshimeve të shpeshta në mbrojtje gjatë sezonit, kuqeblutë kanë ditur të ruajnë ekuilibrin dhe të mos lejojnë rënie në performancë. Ky aspekt ka qenë një nga pikat kyçe të suksesit të tyre dhe ka kontribuar në rezultatet pozitive të skuadrës gjatë gjithë kampionatit.
Në prag të ndeshjes me Partizanin, trajneri Edi Martini ka vendosur t’i kushtojë një vëmendje të veçantë procesit stërvitor të mbrojtjes. Pavarësisht se mund të ketë ndryshime në emrat e lojtarëve që do të aktivizohen në këtë repart, strategjia mbetet e qartë: ruajtja e një linje të fortë mbrojtëse është prioritet absolut.
Martini e di mirë se në këtë fazë të sezonit, çdo detaj ka rëndësi. Një mbrojtje e qëndrueshme dhe e organizuar nuk është vetëm çelësi për të mos pësuar gola, por edhe baza për të ndërtuar sulme të shpejta dhe për të siguruar rezultatet që mund të vendosin në favor të Vllaznisë në garën për titull.
Statistikat flasin qartë: Vllaznia është ekipi me mbrojtjen më të mirë në Superiore dhe kjo nuk është rastësi. Përveç disiplinës taktikore, skuadra ka treguar shumë kujdes për të mos pësuar. E këtë e tregojnë edhe humbjet e shkodranëve që këtë sezon kanë qenë minimale. Duke përjashtuar vetëm disfatën 3-1 kundër Dinamos në javën e dytë të edicionit.
Ndërkohë, përballja me Partizanin pritet të jetë një provë e rëndësishme për këtë repart. Edhe pse mund të ketë ndryshime në formacion, linja mbrojtëse e Vllaznisë duket gati për të përballuar sfidën dhe për të ruajtur portën të paprekur, duke synuar të mbajë stabilitetin dhe sigurinë që ka karakterizuar skuadrën gjatë gjithë sezonit.


