Nga një ndeshje e vështirë në tjetrën, por për Realin e Madridit nuk ka kohë për pushim. Pasi ka kaluar Atletikon në Kupën e Mbretit në një takim që ka kërkuar 120 minuta sfilitëse, “Los Blancos” do të zbresin sërish në fushë të dielën në një takim tepër delikat në La Liga. Reali do të përballet me Sociedadin e vendit të tretë.

Për trajnerin Ançeloti hallet nuk janë lehtësuar pas ndeshjes në Kupë. Ai ka humbur shërbimet e mbrojtësit Ferland Mendi. Mbrojtësi francez është dëmtuar pas një goditjeje të marrë dhe prognozat e para nuk janë shumë pozitive për të.

Ndonëse koha e qëndrimit jashtë fushave nuk do të jetë shumë e gjatë, ai do të humbë takime të rëndësishme. Sipas mediave spanjolle, Mendi pritet të mungojë rreth një muaj si pasojë e dëmtimit në derbi.

ALABA – Surpriza tjetër e pakëndshme për Ançelotin ka ardhur nga Alaba. Mbrojtësi austriak pritej të ishte i grumbulluar për takimin kundër Atletikos. Por në provat e fundit të bëra, për të është ndezur semafori i kuq. Ai ka shfaqur sërish probleme muskulore dhe sipas mediave spanjolle me shumë gjasa ai do të mungojë ndaj Sociedadit.

RODRIGO – Probleme pas derbit kundër Atletikos ka shfaqur edhe braziliani Rodrigo, që e ka mbyllur ndeshjen para kohe. Gjithsesi, ai pritet të riaftësohet për takimin e së dielës kundër Sociedadit.