Botërori 2022 është mbyllur me një finale spektakolare mes Argjentinës dhe Francës dhe shumëkush ka filluar që tani të numërojë mbrapsht për spektaklin që do të ofrojë një eveniment i tillë pas 4 vitesh. Por Botërori 2026, aktualisht është në ajër.
Si rrallëherë, nuk dihet ende formula e saktë e tij dhe se ku do të zhvillohet sfida finale, pasi gjithçka është lënë për diskutim nga FIFA. E vetmja siguri është që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, si dhe do të ketë 48 skuadra. Pjesa tjetër është “në ndërtim e sipër”.
Në Botërorin e radhës do të marrin pjesë 48 ekipe ku përfshihen edhe vendet pritëse: 16 nga Europa, 9 nga Afrika, 8 nga Azia, 6 nga Amerika e Jugut, 6 nga Amerika Veriore, Qendrore dhe Karaibet, 1 nga Oqeania dhe 2 fitues të play-off ndërkontinental.
Por vetëm kaq, pasi plani fillestar që zbuloi FIFA në vitin 2017 për 16 grupe me nga tre skuadra ka dështuar, ose më saktësisht nuk preferohet më. Ai plan parashikonte 80 ndeshje në total në vend të 64, por struktura e re nuk bind më, duke parë se grupet me katër skuadra dhuruan emocione deri në sekondën e fundit në Katar 2022.
“Pas këtij Botërori dhe suksesit të grupeve me katër, ne duhet ta rishikojmë planin, nëse duhen bërë 16 grupe me nga 3 apo 12 grupe me 4. Kjo është sigurisht diçka që do të jetë në rendin e ditës në mbledhjet e ardhshme”, tha presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino.
Në modalitetin me 12 grupe nga 4 skuadra, parashikohet që dy të parat e çdo grupi dhe 8 skuadrat e treta më të mira të kalojnë më tej, ndërsa ndeshjet për një skuadër që shkon në finale do të shkonin nga 7 në 8 pasi do të shtohej një raund me eliminim direkt. Ndërkohë, numri i ndeshjeve në total do të shkonte në 104, 40 më shumë se Botërori që sapo u mbyll.
Çështje më vete është ajo e finales, pasi nuk është caktuar ende stadiumi, ndonëse Los Anxhelos është qyteti i preferuar nga FIFA. Dihet që nga faza çerekfinale e më tej, të gjitha ndeshjet do të luhen vetëm në SHBA.