Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e mbylli fazën e parë të kampionatit për edicionin 2025-26 si kryesuese e Superiores, me shkodranët të cilët pas 9 javësh kanë grumbulluar 19 pikë. Duke qenë kështu 1 pikë sipër Egnatias së vendit të dytë dhe 2 pikë para dyshes Dinamo – Elbasani. Nga ana tjetër kuqeblutë po ashtu kanë edhe sulmin më të mirë të kampionatit, ku deri më tani kanë shënuar 15 gola. Duke u ndjekur në këtë garë nga Elbasani dhe Dinamo me nga 11 gola të shënuar në favorin e tyre pas 9 raundes.
Teksa kuqeblutë në 9 javë deri më tani kanë pësuar edhe 7 gola. Ku më mirë se ekipi i drejtuar nga Martini kanë bërë skuadra si: Egnatia dhe Dinamo me nga 4 gola të pësuar, Teuta me 5 gola të pësuar dhe Elbasani me 6 gola në dëmin e tyre deri në këto momente të edicionit.
Por, ajo çfarë bie në sy gjatë këtij kampionati deri më tani në rradhët e kuqebluve është kontrasti i ndeshjeve jashtë me ato të zhvilluara në shtëpi. Ku në duelet shtëpiake Vllaznia ka një rekord absolut krahasuar me skuadrat e tjera, teksa ekipi “vuan” shumë kur del jashtë Shkodrës.
Kështu në 5 ndeshje të zhvilluara në “Loro Boriçi” gjatë këtij edicioni, Vllaznia ka marrë 100% të pikë. Duke mos lënë asgjë për kundërshtarët e duke marrë plot 15 pikë në Shkodër. Në këtë mënyrë duke dominuar edhe ndaj ekipeve si: Egnatia, Partizani, Tirana apo edhe Elbasani. Ku shkodranët kanë shënuar 12 gola në shtëpinë e tyre e kanë pësuar 2 të tillë, me kundërshtarët e tjerë që ndjekin si Teuta me 11 pike apo Dinamo me 10 pikë në ndeshjet e zhvilluara si pritëse.
Por, skuadra 9 herë kampione e vendit tonë “çalon” përsa i përket transfertave në këtë kampionat. Duke mos shfaqur të njëjtën fytyrë dhe të njëjtat rezultate si në duelet shtëpiake. Në 4 ndeshje të zhvilluara larg Shkodrës, ekipi kuqeblu ka marrë vetëm 4 pikë, duke shënuar 3 gola e duke pësuar 5 te tillë.
Me Vllazninë që dy humbjet e deri më tanishme të edicionit i ka në Elbasan përballë Dinamos në shifrat 3-1 dhe Flamurtarit në Vlorë me rezultatin 1-0. Teksa skuadra ka barazuar 1-1 në Durrës ndaj Teutës dhe ka triumfuar në Ballsh ndaj Bylisit me rezultatin 0-1.
Një kontrast i madh i skuadrës së Martinit përsa i përket krahasimit të ndeshjeve si pritëse me ato udhëtuese. Ku momentalisht duket se kjo është pika e “dobët” e Vllaznisë këtë edicion, por që patjetër duhet korigjuar në javët e ardhshme. Kjo për objektivat dhe ambiciet që ka skuadra këtë sezon, ku si qëllim kryesor i të gjithëve tek Vllaznia dhe në Shkodër është kthimi i titullit kampion pas dekadash mungesë në kryeqendrën e veriut të vendit.
 
 


