Fjoart Jonuzi luan sezonin e tij të dytë në Shkodër, duke qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm për trajnerin Tomas Brdariç. Mesfushori kuksian përballet nesër kundër skuadrës së vendlindjes, aty ku dhe u afirmua në Superiore, për të vazhduar më pas karrierën te Laçi dhe në Kosovë me Gjilanin.
Në një intervistë në prag të ndeshjes që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, ora 16:45, Jonuzi foli për atë që pret nga kjo përballje, si dhe objektivat e Vllaznisë. Ai është i bindur se skuadra do t’u bëjë dhuratë një fitore tifozëve shkodranë për festat e fundvitit. 25-vjeçari nuk e cilëson si hap fals barazimin e fundit ndaj Dinamos.
Fjoart, seria e fitoreve radhazi u ndal ndaj Dinamos. Çfarë mendoni se nuk shkoi në atë 90-minutësh?
Në pjesën e parë nuk ishim ashtu siç duhej në lojë, ndërsa në të dytën u futëm mirë. Presuam më lart dhe ishim më të qartë, por nuk na deshi fati në ato mundësi që patëm për të shënuar. Ky është futbolli, nuk kemi se çfarë t’i bëjmë, por edhe një pikë qëndron.
OK, por rivalët direktë fituan këtë javë…
Duke parë përbërjen e Dinamos, një pikë nuk është e pavlefshme. E prisnim Dinamon agresive dhe e dinim që do të ishin më kompaktë në mbrojtje. Tentuam ta fitonim deri në fund, por nuk e realizuam dot.
Si ju duket situata në ekip para ndeshjes me Kukësin?
Mund të them se skuadra është në një situatë të mirë. Presim Kukësin dhe e parashikoj një sfidë të vështirë dhe të bukur, ku shpresoj të marrim tri pikët. Në gjashtë ndeshjet e fundit nuk njohim humbje dhe morali është i lartë për ta mbyllur vitin me një fitore.
Kukësi ju ka mposhtur në fazën e parë, këtë herë çfarë prisni?
Kanë një skuadër të mirë, me lojtarë cilësorë. Kukësi luan pothuajse të njëjtin futboll si ne. Qarkullojnë shumë topin dhe dalin rrezikshëm para portës. Jo më kot janë në atë pozicion, por pa asnjë diskutim që objektivi ynë për këtë takim mbetet fitorja. Nuk është e lehtë, por ne kemi bindjen se do t’ia dalim. Kjo do të ishte mbyllja më e bukur e këtij viti. Duam t’i kënaqim tifozët për festat e fundvitit, duke i uruar në mënyrën më të mirë me një fitore në fushën tonë.
Një kuksian përballë Kukësit, cila është ndjesia?
Nuk është hera e parë që luaj përballë ekipit të qytetit ku kam lindur dhe jam rritur si futbollist. Emocionet nuk mungojnë, ashtu si respekti, por ne jemi profesionistë dhe kërkojmë që të bëjmë maksi mumin ndaj çdo ekipi. Këtë do të bëj edhe ndaj Kukësit.
Një hap fals ndaj Kukësit, sa e cenon garën për titull të Vllaznisë?
Nuk mund të them se një humbje apo barazim mund të ndikojë për vazhdimësinë. Tirana ka qenë edhe 10 pikë para, por tashmë diferenca është ngushtuar në 6 me ne. Ka ende shumë rrugë për të thënë nëse objektivi titull mund të realizohet apo jo. Ne duhet që të mendojmë dhe të fitojmë ndaj Kukësit për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë vitit dhe po ashtu edhe për të gëzuar tifozët tanë në këto festa.