Shkruar nga Endri ÇINARI
Kevin Dodaj po kthehet gradualisht në një emër gjithnjë e më të rëndësishëm për Vllazninë. Sulmuesi 20-vjeçar u rikthye në huazim gjatë merkatos së janarit dhe tashmë duket se ka gjetur ritmin e duhur, duke u integruar shpejt në mekanizmat e skuadrës kuqeblu. Rikthimi i tij po shoqërohet me sinjale pozitive, që premtojnë shumë për vazhdimësinë e sezonit.
Konfirmimi më i fortë erdhi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, ku Dodaj ishte një nga protagonistët absolutë të sfidës. Me një paraqitje bindëse, nivel të lartë loje dhe ndikim të vazhdueshëm në fazën sulmuese, ai u vlerësua si njeriu i ndeshjes, duke treguar qartë se është gati të marrë më shumë përgjegjësi.
Kjo performancë është edhe një mesazh i drejtpërdrejtë për stafin teknik: Dodaj synon formacionin titullar edhe në kampionat. Ambicia dhe dëshira për të qenë vendimtar e bëjnë atë një rival serioz dhe një konkurent të fortë për lojtarët e tjerë të repartit ofensiv, duke rritur ndjeshëm nivelin e garës brenda skuadrës.
Një situatë e tillë nuk mund të mos kënaqë kampin kuqeblu. Me një grup të plotë, në formë dhe me alternativa cilësore në çdo repart, Vllaznia po shkon e fortë drejt objektivave madhore si në Superiore, ashtu edhe në Kupë. Rikthimi dhe rritja e Kevin Dodajt është një plus i madh për një skuadër që kërkon të jetë protagoniste deri në fund si në Superiore ashtu edhe në kupën e Shqipërisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


