Braziliani Nejmar më në fund paraqitet para mediave dhe tregon versionin e tij të ngjarjeve sa i përket lamtumirës që kishte planifikuar nga PSG. Futbollisti, pas ndeshjes ku i dha suksesin PSG ndaj Strasburg me një roveshatë në shtesë, ka treguar këndvështrimin e tij rreth telenovelës së kësaj vere dhe dëshirës që kishte për të ikur sa më parë nga Parisi.

“E gjithë bota e di që dëshiroja të largohesha, dhe e bëra shumë të qartë. Nuk dua të hyj në detaje, pasi do të ndikoja persona të tjerë. Por vazhdoj të jem një lojtar i PSG dhe qëllimi im është të jem i lumtur brenda fushës së lojës. Mendja ime në këto momente është vetëm te PSG.

Gjithmonë e bëra të qartë se nuk kisha asgjë kundër PSG apo kundër tifozëve, por kur nuk ndjehesh mirë në një profesion, kërkon tjetër. Nuk kisha asgjë kundër klubit, ishin arsye personale. Kisha arsyet e mia pse dëshiroja të largohesha, e bëra të qartë atë që dëshiroja, bëra të pamundurën për ta realizuar, pro fatkeqësisht nuk më lejuan. Kjo është ajo që ndodhi. Kjo është hera e parë dhe e fundit që flas për këtë temë pasi tani mendoj vetëm për PSG”, tha braziliani.

Por si do ta presin tifozët të cilët e kanë kthyer prej disa kohësh në një armik publik? Nejmar është i sigurt se do të dijë t’u ndryshojë sjellje, siç ndodhi sot.

“Vërshëllimat janë të trishtueshme. Tani e di që ndeshjet që do të luaj në shtëpi do të jenë njëlloj si të luaj jashtë. Tifozët duhet të mbështetin ekipin gjatë 90 minutave, është më e rëndësishme se të vërshëllesh lojtarët. Por e njëjta gojë që të vërshëllen është e njëjta që të duhet të të përshëndesë pas golave. Ata kaluan gjithë ndeshjen duke vërshëllyer dhe me pas festuan”, tha Nejmar. /vipsport/