Erdhi në Kosovë. E ktheu Flamurtarin në Superligë nga Liga e Parë. Shkoi në Shqipëri. E inkuadroi Kastriotin në kategorinë e parë të futbollit shqiptar. U kthye në Kosovë dhe e ktheu Vushtrrinë në Superligë nga Liga e Parë. Samuel Nikaj si një magjistar!

Kohëve të fundit në futbollin kosovar kanë vërshuar shumë trajnerë nga Shqipëria të cilët gjetën punë në skuadrat e IPKO Superligës. Madje, disa edhe nga emrat më të njohur të trajnerëve. Disa dështuan dhe u kthyen në Shqipëri, si Sulejman Starova që pati dështuar me Feronikelin apo Shpëtim Duro me Dritën, apo edhe Gugash Magani me Trepçën ’89, etj.

Më i suksesshmi deri më tani rezulton Bledi Shkëmbi, i cili karrierën e trajnerit e kishte nisur në Kosovë te Liria, me të cilën befasisht deri në fazën e fundit të kampionatit ishte në garë për titull të kampionit. Këtë kishte arritur ta bëjë me një ekip që “tradicionalisht” karakterizohet me probleme të ndryshme e që një vit pas ndarjes me Shkëmbin edhe e humbi tashmë statusin e anëtarit të Superligës së Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Rezultate pozitve po regjistron edhe Mirel Josa me FC Prishtinën. Trajneri me më së shumti trofe të fituara në Shqipëri, i cili qe dy vjet është bërë më i famshmi në Kosovë, i ka 73 paraqitje zyrtare me FC Prishtinën në të gjitha garat dhe i ka regjistruar 45 fitore, 19 barazime dhe vetëm 9 humbje.

Por, këto pak humbje i kanë kushtuar me humbje të një titulli, një Kupe, një Superkupe dhe me një eliminim të hershëm nga Europa League. Josa e ka fituar veç një Kupë me FC Prishtinën që e udhëheq në dy edicionet e fundit, ndërsa sivjet po e kërkon sërish titullin. Ekipi i tij i ka veç dy pikë më pak sesa kryesuesi, Feronikeli, vetëm dy javë para përfundimit të sezonit.

Mirëpo, është një tjetër trajner nga Shqipëria, për të cilin flitet pak, por i lë në “gjumë” strategët e mëdhenj të lartpërmendur.

Bëhet fjalë për Samuel Nikaj, shkruan Gazeta Express, i cili qe dy herë po e bën mrekullinë në Ligën e Parë të Kosovës, në një rang i cili nga ekspertët kosovarë gjithnjë konsiderohet si shumë më i vështirë dhe më sfidues sesa rangu elitar.

Nikaj fillimisht i kishte drejtuar tri skuadra në Shqipëri. Pastaj kishte ardhur në Kosovë dhe e kishte marrë në dorë klubin e famshëm, Flamurtarin e Prishtinës, të cilin në edicionin 2016-2017 kishte arritur ta rikthejë në IPKO Superligë pas plotë gjashtë vitesh sa kuqezinjtë i kishin kaluar në Ligën e Parë.

Ai vetëm e çoi Flamurtarin në Superligë, kurse vet u kthye në Shqipëri, për t’i ndihmuar një ekipi shqiptar që të ngjitet në Superioren e atjeshme. Nikaj në edicionin 2017-2018 e drejtoi Kastriotin e Krujës, të cilin arriti ta inkuadroi në elitën e futbollit shqiptar.

Ai sërish u kthye në Kosovë, ku po e priste Vushtrria në Ligën e Parë. Nikaj e mori në dorë ish kampionen e Kosovës që ka njërën prej tifozerive më të zjarrta, Vushtrrinë. Ish klubi i Milot Rashicës dhe disa emrave tjerë të mëdhenj i ka kaluar tri vite të vështira në Ligën e Parë, pas të cilave me Nikajn arriti ta fitojë statusin e anëtarit elitar. Vushtrriasit në fundjavë zyrtarisht e siguruan kthimin në Ipko Superligë, bashkë me Nikajn, i cili tri herë konfirmoi se rezultatet e tij nuk janë rastësi. /Gazeta Express/