Megi Doçi ka reaguar përmes rrjetit të saj social në “Instagram” për ndodhitë e fundit që kanë prekur edhe presidentin Armand Duka. Kapitenia e Kombëtares shqiptare ka shprehur solidaritetin e saj për shpërthimin me tritol në banesën e kreut të FSHF-së, si dhe i ka dhënë mesazh politikës të mos zgjasë duart e saj në sport.

Doçi i shpreh falenderimet e saj presidentit Duka për mbështetjen e madhe që i ka dhënë futbollit të femrave, pasi ashtu siç edhe ajo vetë thotë, tashmë çdo vajzë mund të luajë futboll dhe kjo është kënaqësia më e madhe për to.

“Një shpërthim tr.itoli në shtëpinë e Presidentit të FSHF-së, Armand Dukës, ka tronditur të gjithë botën e futbollit shqiptar dhe atë ndërkombëtar. I shpreh Presidentit Duka dhe familjes së tij, solidaritetin tim të plotë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë dhe të shëmtuar.

Gjithashtu, meqë shohse ditët e fundit politika po “fut” duart shumë në futboll, dua të falenderoj publikisht Presidentin e FSHF-së për mbështetjen e madhe që po i jep futbollit të femrave, futbollit tonë të bukur, që po zhvillohet normalisht, ashtu sikurse në çdo shtet tjetër europian.

Sot, çdo vajzë mund të luajë futboll! Kjo është kënaqësia jonë më e madhe, jo politika”, shkruan Megi Doçi./Sport Ekspres/