Jemi mësuar ta shohim duke shënuar shpesh dhe jo vetëm në ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe në ato të Kupave të Europës. Megi Doçi është njeriu- gol i Vllaznisë së femrave.

Ajo bashkë me ekipin po i japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së martës ndaj kampiones turke ALG Spor Kulubu dhe kur e pyesim nëse do të dëshironte një kualifikim pas dy ditësh me golin e saj, ajo shprehet:

“Dëshira është shumë e madhe për të shënuar dhe sidomos në Shkodër, por e rëndësishme është të fitojmë dhe më pas të gëzojmë të gjithë sëbashku”.

E pyetur ndërkohë nëse skuadra është optimiste për ta kaluar me sukses sfidën e së martë ndaj kampiones turke ALG Spor Kulubi, sulmuesja e Vllaznisë do të deklaronte:

“Sigurisht që jemi gati për këtë ndeshje sepse po përgatitemi prej dy muajsh e gjysëm për të, por duhet të kemi shumë kujdes sepse do të luajmë me kampionen e Turqisë. Kjo është Ligë Kampionesh dhe çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht sepse nuk kemi luksin të nëvlerësojmë askënd.

Ekipi ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe po e vlerësojmë në maksimum këtë ndeshje ku nuk lejohet gabimi më i vogël sepse është një ndeshje e vetme.

Mungesa e tifozëve në stadium është një minus i madh për ne sepse dihet roli që ato kanë tek skuadra jonë dhe padyshim që do të luajmë edhe për ta dhe të gëzojmë në fund sëbashku”./SHKODRA-SPORT.COM/