Më parë kanë luajtur në Azerbajxhan edhe shkodranët e tjerë si Elvin Beqiri, Admir Teli apo dhe Suad Lici për një periudhë të shkurtër. Sot ndërkohë pjesë e kampionatit të këtij vendi është edhe një futbollist i ri shkodran. Bëhet fjalë për Mehdi Çobën.

Lojtari i rritur tek Akademia AAS në Shkodër, lojtari që luan në repartin e sulmit ka qenë sezonin e kaluar një nga më të mirët e Shqipërisë në listën e golashënuesve dhe po ashtu edhe anëtar i kombëtares U20.

Ndërkohë që prej shtatorit të vitit të kaluar ai ndodhet në Azerbajxhan teksa fillimisht u stërvit për 3-4 muaj tek klubi FK Sabah dhe pasi i ka bindur drejtuesit e tij në fillim të janarit të këtij viti, firmosi një kontratë me të.

“Kam firmosur për një vit e gjysëm, pra deri në maj të vitit 2021. Kuptohet që për momentin do të luajë tek ekipi i dytë i FK Sabah dhe në bazë të paraqitjeve që do të bëj aty, mund të kaloj tek ekipi i parë. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë për mua t’i bindë drejtuesit e klubit këtu.

Trajneri dhe presidenti kanë besim tek unë sepse në ditët që po testohesha kemi bërë disa ndeshje kontrolli me ekipe të tjera dhe gjithçka ka shkuar mirë duke shënuar gola dhe madje, njërin prej tyre ia kam shënuar edhe skuadrës së njohur Qarabag në një miqësore që kemi luajtur ndaj tyre.

Këtu në Azerbajxhan futbolli është shumë i ashpër dhe ndoshta nuk më përshtatet shumë megjithatë deri tani gjërat po shkojnë mirë. Kam luajtur në 5 ndeshje deri tani me ekipin e dytë, kam shënuar dy gola dhe kam dhënë dy asist”- thotë Çoba në një prononcim për “Shkodra Sport”.

Këto paraqitje me ekipin e dytë kanë bërë që stafi i ekipit të parë t’i hedhë sytë drejt tij dhe prej disa ditësh shkodrani 20 vjeçar po stërvitet me ta. Kjo kuptohet që do ta ndihmojë për të bërë edhe më mirë në të ardhmen dhe me shumë mundësi, Çoba do të vazhdojë të luajë gjatë këtu.

“Nuk ka qenë e lehtë fillimisht për mua. Këtu në Azerbajxhan nuk e flasin shumë anglishten dhe po ashtu, unë e kam të vështirë ta kuptoj gjuhën e tyre. Po mundohem të bëj më të mirën në çdo ndeshje dhe kuptohet që dëshira ime është të vazhdoj të luajë sa më gjatë dhe madje në nivele edhe më të larta”- thotë Çoba.
© shkodrasport.com