Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, duke folur në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se është i kënaqur me atë që skuadra e tij ka treguar në përgatitjet e zhvilluara në Slloveni.

Tekniku i të kuqve, deklaroi se nuk punon vetëm një person për merkaton, por të gjithë konsultohen me njëri-tjetrin, për një lëvizje në skuadër.

Jo më kot, vendosëm të bëjmë përgatitjet në Slloveni, pasi të jepet mundësia të luash me skuadra si Maribor dhe Mura. Kemi pasur shumë largime dhe afrime. Skuadra ka qenë në rritje, por duhet të kemi parasysh, që kundërshtari në Europë, është në ritmin e kampionatit. Për këtë arsye, jam përpjekur, që skuadrën ta ngre në nivelin e duhur. Jam i kënaqur për mënyrën si skuadra i ka interpretuar ndeshjet. Maribor, ka një skuadër cilësore.

Duke pasur parasysh, që Partizani është një skuadër me vlera të mëdha dhe klub i mirëorganizuar, faktor kryesorë nuk është vetëm trajneri me zgjedhjet e tij. Klubi ka edhe drejtor sportiv dhe të tjerë. Një vendim duhet ta marrim së bashku, që të jemi të bindur, që lojtari që afrojmë, apo largojmë, të futet në filozofinë time si trajner, apo edhe atë të Partizanit. Nuk kemi vetëm një person që merret me merkaton, por jemi të gjithë që diskutojmë, për një afrim apo largim.

Sigurisht që kam vendosur veton për afrime. Unë kam kërkuar që të afrohen lojtarë cilësorë, që të bëjnë diferencën. Duhet të kemi minimalja për çdo pozicion 3-4 alternativa.

Mehmeti zbuloi se te Partizani është ndryshuar politika dhe nuk do të ketë më huazime gjatë kësaj merkato. “Duhet te kemi parasysh, që në politikat e klubit është që të mos ketë më lojtarë të huazuar. Kemi pasur 4 lojtarë të tillë në sezonin e fundit. Janë largime të detyruara, por edhe largime si ajo e Junior, që ishte një lojtar i rëndësishëm për ne. Largimet dhe afrimet jemi munduar t’i bëjmë të kujdesshme. Po mundohemi t’i minimizojmë gabimet, pasi është normale që të ketë gabime në merkato. Duhet të rrisim akoma më shumë afrimet, për të arritur cilësinë e skuadrës dhe konkurrencën në ekip. Nuk kemi pasur shumë kohë, për Europën. Kemi bërë maksimumin deri tani.

Cvetanoski, ka pasur një dëmtim, përpara në Rumani, e ka kaluar atë, por nga dëshira e madhe, e kaloi dëmtimin. Ne po kujdesemi shumë për aspektin fizik dhe po vjen atje ku duhet. Ka shfaqur një dëmtim të vogël te kofsha dhe nuk kemi dashur ta rrezikojmë.

Filozofia e lojës së Partizanit, do të jetë ajo që unë e kam thënë shpesh. Taktikën e bëj në varësi të lojtarëve që kam, por interpretoj edhe mënyrën sesi luan kundërshtari”- eshte shprehur ai.