Emocional, por pjesë e emocioneve të tij ësh të klubi i zemrës. Tirana për të është shumë më shumë sesa thjesht një punë. Është ndjesi, është lidhje shpirtërore dhe familjare. Ardian Mema u largua nga “Elbasan Arena” pa takuar askënd. As lojtarët, as drejtuesit dhe as përfaqësuesit e federatës për ceremoninë e Kupës së Shqipërisë.
Mirëpo, disa orë më pas, gjatë ditës së djeshme, trajneri i Tiranës flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” dhe bën hapa pas duke e pranuar gabimin për atë sjellje. Një rrëfim i gjatë. Pa doreza. Me emocione, dëshira, punë të bëra mirë dhe gjëra që mund të bëheshin më mirë. Zhgënjime, por edhe sinjale pozitive.
Tiranë me dy fytyra, pjesë e parë e dobët dhe në të dytën ekip më sulmues. Si ishte finalja?
Pjesa e parë duhet të mbaronte minimumi 2-0 për Kukësin. Na ruajti fati si dhe Ilioni që e bëri punën e vet si duhet. Kam shkuar shumë i nervozuar në dhomat e zhveshjes në pushim. Nuk e kuptova ekipin në ato 45 minuta. Kishte një anë psikologjike le të themi pozitive, sepse kishte përfunduar kampionati dhe Tirana e shpëtoi sezonin. Në një ndeshje të rëndësisë së tillë, duhet të bënte maksimumin.
Pse e nisi Tirana ashtu ndeshjen?
Ne trajnerët kemi disa shenja që i kontrollojmë futbollistët edhe sapo nisin të bëjnë nxehjen. Me stafin fola dhe e pashë shumë të relaksuar ekipin. Para ndeshjes u mundova që t’i karikoj lojtarët dhe u thashë: Çuna, duhet të jemi shumë herë më të motivuar se kaq. Po ju shoh shumë të shkrehur”. Duke qenë se ishte ndeshje shumë e fortë, finale, kërkon më shumë përqendrim. Përballë kishim një ekip të fortë si Kukësi me elemente goxha të mirë. Na duhet që ta jepnim maksimumin që në fillim, por nuk e bëmë. Kishte dy-tre lojtarë më shumë të karikuar sesa duhet dhe u bënë gabime, sidomos në mbrojtje. Gabime që nuk i kuptova.
Kujt i referoheni?
Më mirëkuptoni nëse nuk përmend emra. Por kanë qenë momente që kemi pësuar topa pas shpinës, thuhet në gjuhën teknike, sidomos në qendër. Edhe në mesfushë patëm probleme dhe lojtarët nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Sidomos në ekuilibër. Dhe për ta riparuar, kam folur disa herë nga stoli për t’ua ndarë unë kundërshtarët, gjë e cila nuk mjafton. Ndarja e kundërshtarit bëhet te fëmijët, jo në ekipin e parë.
Çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes?
Ndërhyra. Madje, kanë qenë edhe tone të larta, pasi nuk po e pranoja dot atë paraqitje të ekipit. Kam përdorur tone të larta, sepse lojtarët nuk po luftonin. Më tej, shpjegova si do të luajmë.
Dora juaj u pa në të dytën. Po në 11-she mund të kishit bërë zgjedhje më të mira, apo ishte vetëm sjellja e lojtarëve që çaloi?
Pak a shumë pjesa e lojtarëve që ka luajtur në kampionat, ka qenë edhe në finale. Jua përsëris që nuk e kuptova atë lojë në fillim. Ishin lojtarë si pa dëshirë, të frikësuar. Ndoshta këto janë konstatime dhe mund të mos ketë qenë kështu, por pashë lojtarë që po luanin një finale dhe u dukën që nuk e kishin personalitetin për ta luajtur një ndeshje të tillë.
Për të pasur fitore në vazhdimësi, duhet një karakter i fortë sportiv. Shpesh ua kam përmendur dhe kam kujtuar veten time dhe lojtarët e kohës sime. Fitonim, kishim karakter të fortë dhe pikërisht në këtë moment bëheshim të frikshëm për kundërshtarët. Kjo gjë nuk ka ndodhur te Tirana në shumicën e rasteve. Përveç fazës së tretë kemi pasur shumë oshilacione. Për të fituar një finale, duhen lojtarë me karakter shumë të fortë sportiv.
U larguat nga stadiumi menjëherë pas ndeshjes. Ndërkohë që disa lojtarë refuzuan edhe medaljen…
Kam qenë shumë nervoz, sepse sidomos në pjesën e dytë mendova se do ta fitoj ndeshjen, pasi skuadra nisi të shprehej mirë. Por, pësuam atë gol që na ka ndodhur shpesh këtë vit. Të them të drejtën, kam ndierë keqardhje. Gazeta “Panorama Sport” e ka publikuar për golat e pësuar, apo për golat që nuk i ka shënuar, për të cilat do të kishim pasur një pozicion tjetër.
Jam mërzitur gjatë gjithë kohës dhe m’u rikthye. Kam ikur me njerëzit e familjes që kisha në stadium. Në fakt, ka qenë një gabim i imi dhe duhet t’u kërkoj ndjesë të gjithëve, sepse unë duhet të respektoj edhe kundërshtarët.
Nëpërmjet gazetës po kërkoj ndjesë, sepse nuk është mirë ajo që kam bërë. Madje, kjo pjesa e lojtarëve është gjithashtu gabim, pasi na duhet ta respektojmë garën, trofeun dhe njerëzit që na prisnin aty për të na dhënë medaljet. Kërkoj falje