Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli është shfaqur shumë i lumtur për fitoren e Skënderbeut ndaj Kastriotit. Pas ndeshjes, për “Supersport”, tekniku pogradecar u shpreh i bindur se skuadra e tij do sigurojë mbijetesën.
Ndeshja– Nga ajo që ka bërë Kastrioti në ndeshjet e fundit, sot kishim parashikuar që të krijonim një ngjeshje dhe minimizim të hapësirave, për të mos i dhënë fleksibilitet kundërshtarit. Kishim vështirësi në 20 minutat e para.
Duke kaluar minutat skuadra krijoi një besim. Pjesa e dytë foli e gjitha për ne. E vumë veten në vështirësi te penalltia e humbur, që mund të kishim siguruar gjithçka. Por goli i dytë na qetësoi.
Ndryshimi– Skuadra ka punuar në planin fizik, teknik dhe takti, dhe çfarë është e rëndësishme në Shqipëri, në anën psikologjike. Lojtarët kanë komplimentet e mia, për atë që treguan sot. Në javët e mbetura do jetë gjithçka e mundur. Nëse luajmë kështu dhe vazhdojmë me këtë ritëm, nuk rrëzohemi nga kategoria.
Mjafton që të bisedosh dhe ta bindësh lojtarin për atë që ka. Skuadra ka cilësi, por e rëndësishme është ana psikologjike. Kam ardhur këtu në javën e 18-të. Nëse qëndrojmë në Superiore këtë sezon dhe këtë me bindje e them se do e arrijmë. Me 3-4 përforcime Skënderbeu i sezonit tjetër do jetë për 3-4 vendet e para. Unë nuk e di çfarë d të ndodhë, mund edhe të mos jem trajner.
Kundërshtari– Kastrioti është një skuadër me intensitet të lartë, sidomos në ndeshjet brenda. Është një skuadër që nëse kalon në avantazh, e ul ritmin. Ishim përgatitur për këtë. Goli i parë, por edhe kartoni i kuq, na ndihmuan të kemi lirshmëri. Superioriteti në numër, të jep liri në sulm dhe të bën të jesh i kujdesshëm në mbrojtje, ne e shfrytëzuam këtë.
Biseda me Jorgjin te momenti i Çelës– Jorgji është ndër më të mirët në Superiore. Unë e di si e mban ai një ndeshje, por kam përshtypje se ai u sinjalizua për këtë nga ndihmësit e tij. Unë mendoj se goditja me kokë e Çelës, ishte i kuq. Jorgji më tha për një rast tjetër: “Migen, ti je 60 metra, ndërsa unë 10, e pashë më mirë”.