Migen Memelli në karrierën si sul mues ka qenë shumë “i drejtpërdrejtë” me portën. Pa shumë finte dhe pa shumë driblime… Preferonte gjithnjë goditjet e rrufeshme. Si trajner është bërë më “driblues”, mesazhet i jep, por me shumë kujdes. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Vllaznisë ka fjalë të ëmbla për të gjithë, por nuk e mohon se ka edhe disa pengje në Shkodër.


Memelli, pse u larguat nga Vllaznia?

Së pari, dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Që nga zëvendësi im Shtubina, Lekiqi, stafi i mjekëve dhe i masazhatorëve, si dhe të gjithë futbollistët pa përjashtim. Për mua ishte një eksperiencë e mirë, ku dhashë gjithçka nga vetja. Por, futbolli ky është, ndonjëherë nuk shkojnë gjërat sipas planit.


Dakord, po pse ju larguan pa u mbyllur tetori?

U zgjidh me konsensus. Ishte një vendim i drejtuesve dhe unë i mirëkuptoj. Sinqerisht. Kur nuk ka rezultate, natyrisht edhe presioni rritet mbi të gjithë. E mirëkuptoj Xhaferin dhe jam ndarë si mik me të. Më ka dhënë një mundësi të mrekullueshme për të drejtuar një klub si Vllaznia dhe i jam mirënjohës. U ndamë si miq, sepse jeta nuk mbaron vetëm me një bashkëpunim. E rëndësishme për mua është që të respektoj të tjerët dhe të më respektojnë. Jam ndier i respektuar nga Xhaferi gjatë gjithë kohës.

Po me skuadrën si ishin raportet?

Korrekte, profesionale dhe të drejtpërdrejta. I falënderoj ata djem, sepse në kushte jo edhe aq të mira, kanë bërë maksimumin dhe janë përpjekur të nderojnë fanellën.

Kur thoni në kushte “jo të mira”, për çfarë e keni fjalën?

Shikoni, unë e kam një peng në aventurën time te Vllaznia dhe e kam fjalën për dëmtimet.

Që do të thotë?

Që pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë me Kukësin, për fat të keq nuk e pata kurrë ekipin të plotë. Edhe lojtarët ndryshuan pozicion shpeshherë nga emergjenca e dëmtimeve dhe kjo nuk na ndihmoi të merrnim atë që donim.