Mbrojtësi shkodran i Napolit Elseid Hysaj gjatë ditëve të fundit ka marrë ofertë nga një prej ekipeve më të mira në Europë megjithatë ka vendosur të qëndrojë sërish në Itali. Ofertat në drejtim të tij në fakt nuk kanë munduar asnjëherë, saqë vitin e kaluar u kërkua nga shumë ekipe të njohura si Bajern, Mançester Junajtid, Totenhem madje edhe Barcelona.
Për ecurinë dhe të ardhmen e shkodranit ka folur vetë menaxheri i tij, Mario Xhiufredi në një intervistë për “Radio Kiss Kiss Napoli” ku është shprehur: “Hysaj është 100 % i bindur për të fituar kampionatin, ndryshe ai do të ishte larguar nga Napoli. Mbrojtësi mori një ofertë serioze për të qenë në një nga klubet më të forta në Europë, por nuk e ka marrë as në konsideratë. Do kishte përfituar shifra më të larta se çfarë fiton tani, por nuk donte as ta mendonte si mundësi. Cila skuadër ishte? Nuk mundem ta them absolutisht, por ajo arriti në dy vendet e para në një nga ligat më të mira të Europë”. Pavarësisht se nuk ka zbuluar emrin, një ofertë e tillë e bën edhe më të veçantë mbrojtësin shkodran i cili është nga më të mirët në kontinent në krahun e djathtë të këtij reparti.
© shkodrasport.com