Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli gjatë verës dhe konfirmimi për këtë fakt vjen nga menaxheri i tij, Mario Xhiufredi. Ky i fundit, në një prononcim për radiot italiane ka konfirmuar se mbrojtësi i djathtë është në kërkim të një sistemimi të ri, por ka bindjen se gjithsesi do të jetë pjesë e një klubi të madh në të ardhmen.
“Është e vërtetë, në vitin e fundit ka pësuar një rënie, por nuk ishte i vetmi. Për të qëndruar te Napoli në të kaluarën ka refuzuar edhe Juventusin. Elseidit i mbeten edhe dy vite kontratë ndaj besoj se largimi i tij është i detyrueshëm për klubin, por ndjej se është e drejtë të ndërrojë ajër”, tha ai.
Por cili do të jetë destinacioni i radhës i Hysajt? Xhiufredi sqaron se për të ka interesim konkret nga emra të mëdhenj të futbollit europian.
“Atletiko ka kërkuar gjithmonë informacione, por nuk është i vetmi klub. Paratiçi e ka parë gjithmonë me sy të mirë dhe me siguri do të shkojë në një klub të rëndësishëm”, tha menaxheri. /vipsport/