Elton Marini, menaxher i cili vepron vazhdimisht në tregun e futbollit në Superiore, ka analizuar lëvizjet që priten në futbollin shqiptar dhe parashikon pak ndryshime. Në “Pressing” ai foli edhe për çështjen e Kërçikut, si dhe nëse kishte mundësi që të eksportoheshin futbollistë jashtë.
“Niveli financiar i Superiores nuk është ai që ka qenë dikur. Lojtarët që mund të jenë të nivelit kualitativ me financa të ulëta është e vështirë të vish në një kampionat jo shumë konkurrues si është i yni. Skuadrat janë detyruar të bëjnë ndërhyrje edhe për inerci.
E shoh të zymtë situatën e dy skuadrave të fundit që janë drejt kolapsit, nuk i lejojnë problemet financiare të bëjnë lëvizje, mund të bëjnë me të rinj për të afirmuar por nuk i ndryshon. Janë 2-3 skuadra që kanë të dëmtuar, nuk kanë grupin e plotë.
Pastaj është treni i skuadrave të Europës, Kukësi ka bërë lëvizje shumë të pakta, Duro ka kërkuar vetëm një sulmues se ka një grup të kompletuar e me Sormanin do të bëjë diçka ndryshe. Teuta ka zyrtarizuar sulmues dhe kishte nevojë pas 2 largimeve në sulm. Laçi kërkon alternativë të Nuabueze, se është te grupi i skuadrave që pretendon për Europë.
Kërçiku? Unë jam partizan i lëvizjeve pavarësisht ngjyrave se je profesionist. Mënyra e ikjes nuk dua të marr përsipër të bëj avokatin, por unë e quaj ikje kur firmos dhe çohet e ikën e firmos diku tjetër. Kërçiku është lojtar tipik krahu, shumë i shpejtë, mbrojtës i sigurt te Tirana, në moshë të re edhe pse ka luajtur që 17 vjeç në Superiore,e do i bëjë punë Partizanit. Mos harrojmë që Partizani kishte vetëm Idrizajn, tani do të kenë konkurrencë.
Largimet? Shikoj shumë pak apo aspak që të lëvizin në dritaren e verës se është çështje cilësie dhe përgatitjesh të klubeve për tregun e huaj. Jemi shumë mbrapa për tregun e huaj. Mua do të më pëlqente modeli kroat që i jep përparësi të rinjve si një treg për të ardhmen. Që të marrin të rinjtë, klubet duhet të kenë departamente që të bëjnë përzgjedhje”, tha Marini. /vipsport/