Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në javën e fundit kundër Egnatias. Rezultat që nuk la një shije të mirë në ambientin shkodran dhe sidomos tek tifozeria kuqeblu. Kjo pasi të gjithë prisnin që skuadra e drejtuar nga Brdariç të futej fuqishëm në garën për titull. Por rezultati ishte zhgënjyes në fund kundër rrogozhinasve.

Performanca e pjesës sulmuese të skuadrës nuk ishte në nivelin e duhur. Madje një “sëmundje” që vijon prej disa javësh tek kuqeblutë, humbja e rasteve flagrante para portës. Madje edhe gjithë lojtarët që erdhën nga stoli për të ndihmuar skuadrën, nuk arritën të lënë shenjë.

Ky fakt bën që drejtuesit e Vllaznisë apo edhe stafi teknik të rimendojnë për merkaton kur kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i afatit dimëror. Në një moment ku merkato dukej e përfunduar për shkodranët me vetëm afrimin e Panos, duket se do rishikohet edhe njëherë për përforcime.

E si për ta konfirmuar këtë shërben deklarata e fundit e presidentit Xhaferri, i cili theksoi se ka interes për Bekim Balajn. Pra merkato mbetet ende një opsion për Vllazninë, sidomos në pjesën sulmuese ku skuadra po ka vështirësi të finalizojë në takimet e fundit.
Endri ÇINARI