Skënderbeu nuk i ul pretendimet e veta për ndeshjen e radhës në kampionat, pavarësisht se këtë javë luajnë një ndeshje të vështirë përballë Vllaznisë në transfertë, e cila nga ana e saj kërkon maksimumin për të qenë në luftë deri në fund për titullin kampion. Gjithsesi, korçarët, pas humbjes së ndeshjes së fundit ndaj Teutës, ndihen dyfish të angazhuar e të motivuar për të marrë një rezultat pozitiv nga Shkodra.

Në këtë linjë shkon edhe sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Alfred Mensah, njëherazi edhe golashënuesi më i mirë i bardhekuqve për këtë sezon. Për shtatlartin ganez, të gjitha ndeshjet janë një finale më vete, prandaj duhen vlerësuar maksimalisht.

Mensah nuk e shikon si problem humbjen e fundit me Teutën, pasi është loja dhe rendimenti ajo që ngushëllon korçarët përtej rezultatit. Për këtë arsye, sulmuesi kryesor i Skënderbeut është i mendimit se bardhekuqtë i kanë të gjitha potencialet dhe mundësitë për të dalë me pikë nga ky takim.

“Është e vërtetë që ne vijmë në këtë javë nga një humbje dhe normalisht nuk është e lehtë edhe për shkak të situatës ku ndodhemi. Ishte një humbje që në vetvete nuk është se na demoralizoi shumë, pasi nëse i referohemi lojës, kemi qenë thuajse të barabartë me një ekip si Teuta, që lufton për titullin kampion.

Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe kjo po shihet nga ne si një pikënisje për vijimësinë. Veç kësaj, edhe diferenca me rivalët më të afërt në renditje ka mbetur e njëjtë dhe e pandryshuar. Kjo na jep një dorë dhe shpresë për të qenë të motivuar dhe të përqendruar për ndeshjen e radhës”, u shpreh fillimisht Mensah për “Panorama Sport”.

VLLAZNIA – Më tej sulmuesi i Skënderbeut u ndal edhe te ndeshja në Shkodër, sfidë të cilën e quajti të vështirë dhe delikate, por jo të pamundur për t’u kaluar. Dhe këtu, ganezi iu referua pikërisht rezultateve të marra ndaj ekipeve të konsideruara favorite në letër. “Ndeshja e së shtunës në Shkodër pa dyshim që është një përballje e vështirë dhe kërkon një përgatitje specifike dhe të detajuar, por nuk është një mision i pamundur.

Këtë e them i bindur për vetë faktin se ne jemi një ekip që nëse japim maksimumin tonë, mund të arrijmë çdo rezultat duke pasur kryesisht kujdes dhe përqendrim. E kemi treguar një gjë të tillë me ekipe që kanë qenë favorite dhe kanë pasur objektiva madhorë. Prandaj, jam i mendimit që në Shkodër duhet të jemi grup i bashkuar dhe të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Jam besimplotë se mund t’ia dalim, madje ëndërroj sikur goli im i jep fitoren Skënderbeut”, vijoi 21- vjeçari.

MBIJETESA – Për ganezin, ndeshja e radhës nuk është përcaktuese për mbijetesën, por është një vijim i sigurt drejt qëndrimit në Superiore. Për të, gjithçka do të ndahet në ndeshjet direkte që Skënderbeu do të luajë me rivalët e zonës së ftohtë.

“Nuk mendoj se gjithçka do të varet nga ky takim, pasi është një ndeshje e radhës dhe ka shumë takime në vijimësi. Gjithsesi, unë jam i mendimit se mbijetesa do të varet gjithçka nga përballjet direkte që do të kemi me Bylisin, Kastriotin dhe Apoloninë. Këto ndeshje do të përcaktojnë shumëçka”, mbylli prononcimin e tij Alfred Mensah.