Mjafton t’u hedhësh një sy lajmeve në portalet më të rëndësishme gjermane për të kuptuar se merkato do të jetë më e nxehtë se kurrë në Bundesligë. Arsyeja?

Të zbresin Bajernin nga froni. Të paktën ky është qëllimi, edhe pse askush nuk e pranon publikisht. Ndonëse në pamje të parë duket e vështirë, pasi kampionët nuk rrëzohen me lehtësi. Mbi shpatulla kanë një histori të mbushur me suksese dhe për shumë vite kanë qenë edhe përfaqësues të futbollit gjerman në Europë.

DORTMUNDI

Nuk është nevoja të shkruajmë shumë për verdhezinjtë, të cilët ndryshe nga sezonet e tjera kanë arritur të shfaqen seriozë disa muaj para se të startojë Bundesliga. Në pritje të Mats Humels, Borusia jo vetëm që do të forcohet me një lojtar me eksperiencë, por do të dobësojë edhe një rival direkt për titull.

Vacke ka premtuar një skuadër të fortë në sezonin e ri, duke premtuar se do të ndalonte bavarezët të fitonin për herë të tetë radhazi kampionatin. Edhe pse të gjithë biem dakord me faktin se për të fituar në Bundesligë, nuk mjafton të kesh lojtarët më të mirë, por edhe diçka më shumë. Gjë, që duket se Borusia nuk e ka.

LEVERKUSEN

Pas verdhezinjve, skuadra tjetër që është shfaqur aktive në Gjermani janë “aspirinat”. Pasi arriti të mbante edhe për një sezon tjetër Kai Havertzin, Leverkusen siguroi shërbimet e talentit francez, Diabi. Në fokus është edhe “Wonder boy” i Realit të Madridit, Martin Odegard, i cili e ka të pamundur të luajë në skuadrën madrilene dhe tani kërkon të aktivizohet në Bundesligë.

Sigurisht që këta emra nuk mjaftojnë për të fituar titullin, por do të mjaftonin për t’iu hapur punë skuadrave si Bajerni apo Dortmundi. Kështu, rivaliteti nuk do të ishte vetëm ndërmjet dy skuadrave, por më gjerë.

BAJERNI

I renditur në fund, jo për nga rëndësia, por për shkak se bavarezët janë dhe do të jenë gjithmonë epiqendra e ngjarjeve në Gjermani. Kampionët kanë nisur merkaton që në janar ku afruan talentin kanadez, Alfonso Dejvis. Më pas, në mars arritën akordin me dy kampionët e botës, francezët Zheremë Pavar dhe Lukas Hernandez.

Ky i fundit ishte edhe blerja më e re në historinë e klubit gjerman. Leroi Sane është lojtari që po kërkohet me ngulm. Në shtëpinë e kampionëve emrat e lojtarëve që qarkullojnë janë të “peshave të rënda” dhe parakalojnë skuadrat e lartpërmenduara. Së fundmi, listës së dëshirave i janë shtuar edhe mesfushori i Spanjës, Rodri dhe Garet Bejl i Realit. Edhe pse menaxheri i lojtarit mohoi çdo thashethem për uellsianin që e lidhte atë me një transferim të mundshëm në Mynih.