Merkato është ajo që nxë pjesën më të madhe të lajmeve në këtë periudhë. Pavarësisht se skuadrat kanë zbritur në fushën e lojës, tashmë ajo që zë vëmendjen është lëvizja e futbollistëve. Ekipi më aktiv duket se në këto momente është Partizani. Të kuqtë duan të riformatojnë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.

Afrimi i Sherif Kallakut e konfirmon këtë gjë. Po ashtu “demat” duken se janë pranë rikthimit të mbrojtësit Eneo Bitri, i cili do ishte një përforccim shumë cilësor. Po ashtu edhe Teuta duket shumë aktive në këtë dritare të merkatos në dimër. Rubin Hebaj është tashmë rikthimi i madh i durrsakëve ndërsa rrugën e tij duket se do e ndjekë edhe Jurgen Goxhaj.

Laçi ende nuk ka bërë lajm në këtë merkato. Kurbinasit duket se do ndjekin traditën e sezoneve të shkuara, ku lëvizjet i kanë pasur me pikatore në janar. Vllaznia përveç afrimit të mesfushorit Panos, ende nuk ka zyrtarizuar ndonjë lëvizje në hyrje. E po ashtu Tirana po punon pa zhurmë.

Bardheblutë si kryesues duket se nuk do bëjnë edhe aq shumë ndërhyrje duke parë edhe ecurinë që ka patur deri më tani. Edhe Kukësi nuk është se po zhvillon një merkato aktive në këto momente. Ekipet pretendente po bëjnë lëvizjet e tyre, që ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit duket se do jenë me “pikatore”.
Endri ÇINARI