Nga Endri ÇINARI

Merkato ende nuk ka nisur zyrtarisht për sesionin veror, por me përfundimin e kampionatit, skuadrat po mendojnë për përforcimet e sezonit tjetër. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, ku shkodranët do kërkojnë emra cilësorë dhe të njohur në kampionatin tonë. Dhe të tillë janë dy që po qarkullojnë në ambientet e klubit kuqeblu.

Nga sa mëson “Shkodra Sport”, shkodranët kanë sy synim afrimin e dyshes së Tiranës, Deliu dhe Përgjoni. I pari duket një objektiv i arritshëm pasi mesfushori i ka prishur marrëdhëniet me drejtuesit bardheblu. Në garë për ish-futbollistin edhe të Laçit është edhe Dinamo. Ku tek Deliu shikohet një futbollist plot eksperiencë dhe që e njeh kampionatin tonë.

Për Përgjonin gjërat mund të jenë disi më të komplikuara sepse tek Tirana ai konsiderohet si një prej shtyllave të ekipit. Dhe kryeqytetasit nuk duan të privohen nga shërbimet e një prej mbrojtësve më të mirë të kampionatit. E kjo për më tepër për të përforcuar një rival direkt si Vllaznia. Megjithatë miqësia që ka ish-futbollisti i Besëlidhjes me drejtorin Osmani mund të bëjë që ai të vishet kuqeblu.

Duket se kjo verë do jetë e zjarrtë për Vllazninë në merkato. Ku përveç afrimeve, kuqeblutë do kenë edhe largime. Duke mos iu besuar disa futbollistëve që nuk dhanë atë çfarë pritej në edicionin që lamë pas./www.shkodrasport.com/