Pas Boshnjakut, Shehit dhe Vulajt, çfarë futbollistësh të tjerë do të afrojë Vllaznia këtë verë? Kjo është pikëpyetja e madhe e shumë tifozëve.

Nëse i referohemi grupit të futbollistëve që janë nën kontratë, bazën e ka. Shkodranëve u duhen pak përforcime, por sigurisht të goditura, në mënyrë që rikthimi te suksesi, ashtu siç preferojnë ta quajnë drejtuesit, të mos vendoset në diskutim.

Në fakt thuhet se po punohet për afrime cilësore dhe futbollistë të rinj që pasqyrojnë filozofinë shkodrane. Më parë, presidenti Alban Xhaferi ka pohuar se do të bëhen disa goditje në merkato.Nuk ka detaje të tjera për momentin. Prurje do të ketë në të gjitha repartet, përveç portës, por veçanërisht në sulm.

Për portën është konfirmuar Bojan Zogoviç. Në mbrojtje, kuqeblutë kanë futbollistë, si Darko Bulatoviç, Dajan Shehi, Klejdi Paloka, Esin Hakaj dhe kapiteni Erdenis Gurishta.

Prapavija në njëfarë mënyre mund të ketë nevojë për ndonjë ndërhyrje tjetër sërish në ditët në vazhdim. Edhe në mesfushë, kuqeblutë i kanë elementët aktualisht në organikë. Kështu, janë pjesë e skuadrës Elvedin Heriç, Fjoart Jonuzi dhe Lorik Boshnjaku.

Praktikisht, me përjashtim të Boshnjakut, dyshja tjetër sezonin e fundit luajti në qendër të mesfushës dhe janë që të tre futbollistë më përvojë dhe kualitet, që në Abissnet Superiore do të bënin diferencën. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të afrohet edhe ndonjë mesfushor tjetër me eksperiencë.

Vllaznia ka pasur probleme të theksuara në sulm gjatë sezonit në Superiore. Kuqeblutë nuk ia dolën të gjenin futbollistët e duhur për këtë repart as në verë dhe as në dimër dhe problemi me golin soli edhe problemin me rezultatet në disa ndeshje.

Nga ekipi është larguar fantazisti Victor Da Silva. Ndërkohë, kanë mbetur te Vllaznia vetëm Aralica, Latifi dhe braziliani Kaina, i rikthyer nga huazimi tek Kastrioti. Kështu, është e qartë se sulmi shkodran ka nevojë për futbollistë me kualitet, minimalisht për një sulmues të qendrës dhe një sulmues krahu.

Po ashtu, Vllaznia ka në organikë edhe disa futbollistë të rinj, të cilët sezonin e fundit u aktivizuan me ekipin U-21. Ndoshta, kampionatin e ardhshëm këta futbollistë mund të ingranohen më shumë me skuadrën dhe pastaj në të ardhmen do të jenë më të rëndësishëm për Vllazninë.
Maringlen ZHIVANI