Shqipëria jo vetëm që nuk ka arritur të fitojë siç pritej, por është turpëruar brenda në “Loro Boriçi” nga Skocia e cila ka fituar me rezultatin e thellë 4-0. Një ndeshje që duket se do të shënojë fundin e epokës “Panuçi” i cili mori me vete sharjet në kor të tetë mijë tifozëve shqiptarë.

Ndeshja ka nisur jo keq megjithatë kjo zgjatë vetëm pak minuta. Xhaka humbet një top në hyrje të zonës dhe përfitojnë skocezët që nisen menjëherë para. Është Fraser ai që lëviz mirë me topin në hyrje të zonës, duke gjetur golin e avantazhit për miqtë.

Sikur të mos mjaftonte kjo gjë, në minutën e 23’ vjen karton i kuq për kapitenin Mërgim Mavraj i cili pasi shkakton një goditje dënimi në mesfushë, godet edhe me kokë kundërshtarin. Në minutën e fundit të pjesës së parë ka një goditje dënimi për miqtë jashtë zone, topi prek dorën e një lojtari tonë dhe arbitri tregon pikën e bardhë.

Ka shënuar Fletçer dhe mbyllet këtu pjesa e parë me shifrat 0-2 për miqtë. Në pjesën e dytë pritet njëfarë ndryshimi në lojën e kuqezinjve por në fakt nuk do të ndodhë kështu. Skocia shënon njëri pas tjetrit edhe dy gola të tjerë me të njëjtin autor- Forrest. Në stadium gjithçka merr fund.

Tifozët skocezë vazhdojnë të këndojnë por nuk qëndrojnë më pas edhe “Plisat” dhe “Tifozët kuqezi” që vazhdojnë të brohorasin por edhe të shajnë në kor Panuçin. Në fushë janë vetëm miqtë. Ata arrijnë të goasin edhe traversën në minutën e 78-të në një ndeshje ku kanë fituar ndoshta në mënyrën më të lehtë të mundshme.
© shkodrasport.com