Mançester Junajtid më në fund ka finalizuar transferimin e Doni Van De Bek, mesfushorit 23-vjeçar holandez, që ishte kthyer prej kohësh në prioritet për Ole Gunar Solskjaer si pjesë e rindërtimit të skuadrës.

Pas disa muajsh negociata, palët kanë gjetur akordin mes tyre me lojtarin që u transferua nga Ajaks kur Mançester Junajtid ra dakord që të paguante 40 milionë paund për të. Van De Bek firmosi një kontratë pesëvjeçare, me të drejtën e zgjatjes për një tjetër edicion. Ai do të përfitojë rreth 107 mijë paund në javë, të cilëve u shtohen bonuse të ndryshme në bazë të paraqitjes së tij me ekipin anglez.

Tanimë të gjithë presin të shohin se si do të jetë mesfusha e re e Mançester Junajtid, me Van De Bek që i bashkohet Pogba dhe Fernandes, duke u kthyer në një ndër më cilësoret në kampionatin anglez.

“Nuk di nga të filloj që të shpjegoj sa e jashtëzakonshme është mundësia për t’iu bashkuar me një klub me një histori kaq mbresëlënëse. Dua të falënderoj Ajaksin dhe këdo atje, do të kem gjithmonë një lidhje speciale. Tani jam gati të hedh hapin e radhës në karrierën time dhe të paraqitem në nivelet më të larta dhe nuk ka standart më të lartë se Mançester Junajtid”, tha ai pas firmës. /vipsport/