Federata e Basketbollit të Kosovës ka vendosur të anulojë gjithë sezonin 2019-2020. Vendimi është marrë sot pas mbledhjes së bërë nga bordi i kësaj Federate.

Një vendim drastik që vjen si shkak i situatës së krijuar nga Coronavirusi. Si për meshkujt, ashtu edhe për femrat nuk do të ketë një fitues për edicionin në fjalë. Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës do të ndjekë me interes zhvillimet sa i përket “Covid 19”.

“Në lidhje me modalitetet e garave të tjera Federata e Basketbollit të Kosovës do të njoftojë opinionin me kohë pas konsultimeve në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar të marr një vendim të tillë për shkak të përhapjes së pandemisë COVID – 19, ku numri i të infektuarve në vendin tonë ka përjetuar rritje të madhe në disa ditët e fundit, thuhet më tej në njoftim.

Për Bordin e FBK-së rëndësi ka shëndeti i basketbollistëve/eve, punëtorëve sportivë, shikuesve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në zhvillimin e garave të FBK-së. Vendimi hyn në fuqi më 31.03.2020”, thuhej në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës./newsport/