Dinamo mes krizës dhe një ndeshjeje shumë të vështirë përpara ku do jetë përballja me Vllazninë, po mendon edhe për merkaton. Blutë kryeqytetas nuk duken të kënaqur me lojtarët që kanë dhe po mendojnë për afrime të tjera në janar. Në lajmet që kanë qarkulluar sot emri më i lakur është ai i Sabien Lilajt.

Mesfushori i njohur me origjinë nga Maliqi ka prishur kontratën me ekipin e Prishtinës në Kosovë. Skuadër të cilës iu bashkua sezonin e shkuar. Futbollisti që në vendin tonë ka mbajtur veshur fanellat e Tiranës dhe Skënderbeut duket se do rikthehet në Superligë.

Kjo edhe për tu ribashkuar me mikun e tij, Bledi Shkëmbi, që tashmë është trajner i Dinamos. 32-vjeçari nuk është pjesë e futbollit shqiptar që nga sezoni 2017-18, ku aktivizohej me Skënderbeun. Aventurat tek Qabala, Setkzia dhe së fundmi tek Prishtina e kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve.

Përpara se të largohej nga kampionati ynë, Lilaj dukej se ishte shumë pranë Vllaznisë. Aq sa në një moment ishte deklaruar se edhe akordi ishte arritur, por në fund gjithçka u prish për shkak të një oferte jashtë vendit. Tek Dinamo pavarësisht halleve dhe krizës e ku në një moment po “kërcet dera” nga Vllaznia, mendja është tek janari dhe merkato.
Endri ÇINARI