Tashmë është fakt se Tomas Strakosha është një nga portierët më të mirë të Serie A dhe nuk shihet aspak si çudi që drejt tij të vijnë oferta.

Javët e fundit për të janë interesuar dy gjigantë të futbollit anglez. Totenhem dhe Leister Siti kanë shfaqur interes për të dhe janë në garë me njëra-tjetrën për të dërguar ofertën më të mirë në drejtim të Lotitos e Tares.

Këta të fundit nga ana e tyre po punojnë për të rinovuar kontratën me portierin, teksa ajo aktuale përfundon në vitin 2022. Më pas Tare do të jetë gati të nisë të shqyrtojë ofertat, që do të vijnë në drejtim të tij për yllin e katërkëndëshit të kombëtares sonë. Paga aktuale e tij është 1 milionë euro në vit dhe Lacio është gati ta dyfishojë atë shifër.

Vlera në merkato e Strakoshës është 25 milionë euro, por Lacio me siguri që do të kërkojë gati dyfishin e kësaj shume. Hugo Loris është në ditët e tij të fundit te Totenhem dhe Strakosha do të ishte zëvendësuesi ideal i tij.

Ndërkohë te Leister ai do të kishte mundësi të luante në Champions League, një fat që ja jep edhe Lacio. Në rast largimi, është e sigurt se shitja e Strakoshës do të ishte rekord për futbollin shqiptar. /vipsport/