S’është vendosur ende se kur do të rinisë kampionati, megjithatë ajo që ka dalë nga zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit ka qenë: “Skuadrave do t’u lihet një periudhë 10 ditore për t’u përgatitur para se të startojnë në fushë”. Lojtarët kanë qenë dakord kur e kanë dëgjuar duke qenë se janë shtyrë nga dëshira e madhe për të zbritur në fushë.

Ndërsa nga ana tjetër, trajnerët e kanë parë me sy analitik. 10 ditë që prej 10 marsit që futbollistët s’prekin top me këmbë apo nuk zbresin në fushë janë pak. Ata rrezikojnë dëmtime duke qenë se sezoni duhet të mbyllet brenda muajit. E thënë ndryshe 10 ndeshje duhet të luhen në 4 javë.

Megjithatë po shpresohet që situata të stabilizohet dhe në vendin tonë të fillojë të veprohet si në Gjermani. Skuadrat kanë zbritur në fushë me grupe të ndara duke respektuar distancimin fizik.

Pritet të shihet se si do të veprohet në vendin tonë dhe të enjten vendoset përfundimisht se çdo të ndodhë me kampionatin pas video-konferencës UEFA do të zhvillojë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv./newsport/